Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka komentuar këtë të shtunë, nga një aktivitet me degën e partisë së tij në Gjakovë, zhvillimet e fundit politike në vend.
Ai tha se subjekti i tij politik nuk mund të heshtë për diçka që është kundër interesit të Kosovës.
“Prandaj jemi rreshtuar aty ku jemi, për të mbrojtur interesin e vendit tonë, sepse këto marrëveshje të kësaj qeverie do të çojnë në ndarjen etnike të Kosovës, duke formalizuar dhe legalizuar ndikimin politik të strukturave ilegale të Serbisë mbi një pjesë të territorit të Kosovës, që nuk është në interes as të shqiptarëve e as të serbëve”, deklaroi Limaj.
Po ashtu, vijoi ai, edhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi i heq Kosovës mbi 10 mijë hektarë të territorit.
“Këto për Nismën dhe për opozitën janë të papranueshme. Kjo që po ndodh nuk duhej të ndodhte sepse Kosova i ka përfunduar kompromiset me Serbinë që me pakon e Ahtisarit”, shtoi Limaj.
Top Channel