Kosovë, rriten ndihmat sociale për familjet e varfëra

17/10/2015 18:20

Familjet e varfëra kosovare që përfitojnë nga asistenca sociale e shtetit, nga muaji nëntor do të marrin ndihmën mujore 25 për qind më të lartë. Ky është vendimi i prezantuar këtë të shtunë nga qeveria e Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Varfërisë.

Sipas ministrit të Financave Avdullah Hoti, vendimi është rezultat i shpërndarjes më të saktë të buxhetit të paracaktuar për këtë kategori, duke përfshirë largimin nga lista të familjeve të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet.

“Pra, kemi 10 për qind më pak familje në skemën e ndihmës sociale dhe kjo na mundëson që përfitimi mesatar për një familje që është në asistencë sociale ta rrisim nga 76 euro në 95 euro. Kemi pasur 2.5 milionë euro në skemën e asistencës sociale gjatë këtij viti dhe kjo na ka mundësuar që sot të marrim këtë vendim, pasi është ditë e shënuar kundër varfërisë, prej 1 nëntorit”, ka deklaruar Hoti.

Janë 26 mijë familje me 115 mijë anëtarë në total që përfitojnë nga këto ndihma sociale. Qeveria e Kosovës ka të regjistruar në listën saj familje me një anëtar, por edhe me 15 anëtarë.

Kështu, një familje një anëtarëshe nëse deri më sot ka marrë 40 euro në muaj, tani do të marrë 50. Ndërsa për një familje 15-anëtarëshe ndihma shkon nga 120 në 150 euro.

“Kjo ka ndodhur si pasojë e një qeverisjeje më të mirë brenda sistemit aktual të listës për asistencë sociale, por edhe e politikave aktive të tregut të punës, ku ne përmes programeve të posaçme kemi vëzhguar këto familje dhe kemi punësuar anëtarë të tyre në tregun e punës”, ka deklaruar Arban Abrashi, ministër i Mirëqënies Sociale.

Dita Ndërkombëtare Kundër Varfërisë, edhe këtë vit e gjen Kosovën si vendin më të varfër në Europë dhe me papunësinë më të lartë.

Ndërkohë që mungojnë shifrat zyrtare të vitit paraprak, sipas një studimi të Bankës Botërore të vitit 2011, niveli i varfërisë në vend është 30 për qind. Në varfëri të skajshme ndërkaq jetojnë 12 për qind e qytetarëve të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA