Kosovë, nis zhbllokimi i urës mbi lumin Ibër

17/10/2015 17:45

Ashtu siç ishte paralajmëruar, të shtunën, pak pas orës 16:00, kompania e kontraktuar nga Bashkimi Europian për rigjallërimin e urës mbi lumin Ibër ka nisur punimet për heqjen e “Parkut të paqes”, i vendosur mbi këtë urë më 18 qershor 2014.

Punimet filluan me vendosjen e rrethimeve nga ana veriore e urës, ndërkohë për të parë nga afër doli edhe kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i cili tha se shpreson që kjo urë të jetë e lirë në qershor të vitit të ardhshëm për kalimin e qytetarëve nga të dyja pjesët e qytetit.

“Po, shpresoj shumë që kjo urë të përfundojë ashtu siç kemi rënë dakord, deri në qershor, dhe qytetarët e Mitrovicës, por edhe të të gjithë Kosovës dhe Serbisë, të kalojnë lirshëm këtu, pa asnjë pengesë. Kam punuar shumë për këtë, duke normalizuar gjendjen politike, ndërsa tani falënderoj edhe kreun e Komunës së Veriut, Rakiç, por edhe qeverinë e Kosovës, Bashkimin Europian, SHBA-të dhe të gjithë njerëzit e mirë, tek të cilët kam gjetur përkrahje për të këtë që po shihet sot”, tha Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut.

Edhe pse ishte parashikuar, që të ishte i pranishëm edhe kryetari i pjesës veriore të qytetit, Goran Rakiç, ai nuk u pa në vendin ku filluan punimet. Lidhur me mospraninë e Rakiçit, kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri tha se është njoftuar jozyrtarisht që Rakiç ndodhej në Beograd.

Gjatë punimeve në urën e Ibrit, dhjetëra qytetarë janë mbledhur në anën jugore të qytetit, të cilët u shprehën skeptikë për faktin që këto punime do të çojnë në lëvizjen e lirë mes dy pjesëve të qytetit, të ndarë për gati 16 vite.

“Kjo që ka ndodhur nuk ka kuptim, është ndarje e pjesëve së trupit. E kanë ndarë qytetin, pavarësisht prej marrëveshjeve që nga ajo e Kumanovës e këndej, por i duhet dhënë fund, në mënyrë që kjo situatë mos t’u lihet gjeneratave të së ardhmes. Kjo është një plagë dhe një varr i hapur”, tha Sadik Boletini.

“Ky është keqtrajtimi i radhës, që po bëhet me qytetarët e Mitrovicës së Jugut. Nuk jam optimist me këtë që po ndodh sot”, tha Besnik Neziri.

Për dallim nga ana jugore, në atë veriore nuk është parë interesim i qytetarëve serbë, për atë që po ndodhte në urë.

Ndërkohë, në të dy anët e urës ishin të pranishme forca të shtuara të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, përfshi edhe njësitë speciale.

“Parku i paqes” është vendosur në qershor të vitit 2014, ndërsa lidhur me të u diskutua edhe në Bruksel nga delegacionet kosovare dhe serbe, ku u arrit marrëveshje që ky park të largohet më 15 tetor. Ky afat u shty me 48 orë nga ana e Bashkimit Europian, deri pasditen e së shtunës me nisjen e punimeve, në mënyrë që ura të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Në bazë të marrëveshjes, punimet pritet të përfundojnë në qershor të vitit 2016.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA