Serbia ka paraqitur argumentet e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESKO përmes një filmi. Filmi, që u shfaq në media por edhe para korit diplomatik të akredituar në Beograd, sqaron se shqiptarët nuk mund ta ruajnë trashëgiminë kulturore që lidhet me serbët.
Presidenti Tomislav Nikoliç ka ftuar diplomatët e huaj që t’u flasë se përse shtetet e tyre nuk duhet ta mbështesin Kosovën në integrim. Ai ka thënë se Kosova është Serbi dhe kishat në Kosovë ndodhen në listën e objekteve të rrezikuara edhe nga vet UNESKO.
“Në Kosovë nuk ruhet vetëm kultura serbe, por ajo europiane, kujtesa botërore dhe ruhet një hap i rëndësishëm i zhvillimit të civilizimit në tërë botën. Andaj është e rëndësishme që roje e thesarit të saj dhe atij botërorë të jetë Serbia si anëtare e UNESKO-s”, deklaroi Nikoliç.
Edhe zyrtarët e tjerë serbë në Kuvendin e Serbisë kanë bërë apel që pronat e serbëve të mbrohen.
“Prishtina përdor pothuajse dhunë për të rrëmbyer pronat që i përkasin popullit serb dhe populli serb duhet të mbrohet me çdo mekanizëm që ka”, tha Miloçan Dreçun nga Këshilli për Kosovën.
Presidenti serb tha se pranimi i Kosovës në UNESKO është kundër dialogut në Bruksel.
“Vendimet e njëanshme, siç është pranimi i Kosovës në UNESKO, do të ndikonin në dialogun në Bruksel ku janë arritur marrëveshje të rëndësishme dhe mund ta vëjë në pikëpyetje këtë dialog që dhe ashtu është në një fazë delikate”, u shpreh Nikolliç.
Serbia ndodhet në një tension politik i krijuar për shkak të Kosovës dhe ende flitet se kjo mund të sjellë zgjedhje të reja.
Top Channel