Nga fshati në qytet, në takime me fermerë dhe me tregtarë, Lulzim Basha po synon të marrë propozime konkrete për të lehtësuar biznesin dhe për të rritur punësimin.
Dhe megjithëse propozimet nuk janë ende përfundimtare, në platformën e opozitës gjenden 5 pika kyçe, të cilat do të jenë shtylla për programin ekonomik të Partisë Demokratike. Për të nxitur biznesin të formalizohet opozita propozon rritjen e nivelit të xhiros për biznesin e vogël dhe rregullimin me ligj të sjelljes së tatimorëve.
“Po shqyrtojmë këtë propozim.Ta çojmë nivelin e biznesit të vogël në 120 milionë lekë të vjetra. E dyta, biznesi i vogël do të paguaj një herë, vetëm një herë do të vendosë pullën në dritare siç e kemi pasur me automjetet dhe tatimorët. Nuk kanë më punë të shkojnë dhe të bëjnë terror te bizneset”, tha Basha.
Biznesi fason i ka shfaqur kreut të opozitës shqetësimin për taksën e pronës, për të cilën Partia Demokratike propozon përgjysmimin e tarifave, siç ka qënë gjatë qeverisjes demokratike. Lulzim Basha beson se kjo masë lehtësuese nxit punësimin.
“Taksa e pronës do të rikthehet në nivelet që ka qenë dhe të mblidhet sepse këtu nuk mblidhet. Qëllim më të madh se punësimi i njerëzve qeveria nuk duhet të ketë dhe ju siguroj se qëllim më të madh qeveria ime kur të më jepni besimin nuk do të ketë. Ulja e taksave do të jetë në këtë funksion”, u shpreh Basha.
Ulja e çmimit të energjisë është një nga shtyllat e platformës ekonomike të Partise Demokratike. Sesa do të ulet çmimi, kjo nuk është vendosur ende, por, duke prekur në mënyrë drastike TVSH-në, Lulzim Basha synon të arrijë një çmim konkurues në rajon.
“Për çmimin e energjisë po studiohet ulja e TVSH-së. Do bëjmë simuli me uljen 15% dhe deri me 19% uljen e TVSH-së e energjisë për konsumatorin dhe për industrinë. Të tjera propozime mund ti diskutojmë dhe të vijmë me zgjidhje të tjera”, tha kreu i PD-së.
I njëjti arsyetim u bë nga kreu i opozitës edhe për propozimin e hershëm të Partisë Demokratike për të kthyer në nivelin e dikurshëm taksën e qarkullimit, duke ndikuar në uljen e çmimit të karburanteve.
“Taksa shtesë e qarkullimit do të jetë e para që do të ikë 240 lekë për litër, nuk është pak”, tha ai.
Propozimet e Partisë Demokratike janë përllogaritur në bazë të një sistemi fiskal me taksë të sheshtë 9 përqind.
Top Channel