Negociatat e anëtarësimit, Balla takohet me Pittella-n në Bruksel

16/10/2015 00:00

Presidenti i të majtës në Parlamentin Europian konfirmoi pas takimit me nënkryetarin e grupit parlamentar socialist, mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, “bazuar në punën e deritanishme të Qeverisë “Rama”, siç tha ai, “për sektorin ekonomiko-sociale, në administratë, në luftën ndaj krimit e korrupsionit dhe veçanërisht në drejtësi”, çfarë mbetet kyçe për vijimin e procesit anëtarësues edhe për socialistin Balla.

Pittella tregoi se raportet e progresit mund të publikohen në fillim të nëntorit, pas zgjedhjeve në Turqi, ndërkohë që vetëm pas vitit 2019 do të mund të flitet për zgjerimin e mëtejshëm të Unionit.

“Në javët që vijnë do të ketë një raport për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndoshta do të jetë në ditët e para të muajit Nëntor. Tani do të ishte mirë të mos luajmë me ditët. Kanë kaluar shumë vite dhe më në fund është hapur një rrugë, të cilën Shqipëria po e përshkon shumë mirë, falë një lidershipi të fortë dhe ne na duhet ta mbështesim plotësisht, në mënyrë që në 2020 të konkretizohet vërtet ky objektiv. Negociatat po ecin përpara në rrugën e tyre, shpresojmë të arrijmë në fazën kyçe, në 2019 – 2020, kur do të rihapet porta e zgjerimit të BE-së, sepse deri në 2019 nuk do të këtë asnjë mundësi për zgjerimin e Bashkimit Europian”, u shpreh Giovanni Pittella, Presidenti i S&D.

“Arsyeja e kësaj vizite ishte pikërisht ripërsëritja e mbështetjes që socialistët dhe demokratët në Parlamentin Europian i japin aspiratës së Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke u fokusuar tek Shqipëria, e cila meriton, falë reformave të kryera nga qeveria e kryesuar nga Edi Rama, hapjen e negociatave për anëtarësim. Hapja e negociatave nuk është anëtarësimi, por thjeshtë një pjesë e procesit që është shumë e rëndësishme për efektivitetin e vazhdueshmërisë së reformave të ndërmarra nga qeveria. Kryefjala e punës në Shqipëri është reforma në drejtësi. Pa reformë në drejtësi, sikurse e tha dhe Presidenti, nuk mund të vazhdojmë përpara me procesin shumë të rëndësishëm historik të integrimit europian”, tha Taulant Balla, nënkryetar i grupit parlamentar të PS.

Taulant Balla u ftua dhe në mbledhjen e grupit socialdemokrat të Parlamentit Europian për të folur në emër të së majtës nga Ballkani, ku ai dorëzoi  dhe një përmbledhje me 12 faqe të arritjeve të Shqipërisë gjatë 2015-ës në fushën e rendit publik.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel