
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet të martën e ardhshme, për të diskutuar rreth vlefshmërisë së mandatit të deputetit Mark Frroku.
Vetë Frroku është njoftuar në burg nga sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, që në datën 20 tetor të paraqitet vetë, ose të përfaqësohet nga avokatët e tij.
Mbledhjen e Këshillit të Mandateve e kërkoi, më herët gjatë kësaj të premteje, anëtari demokrat Arben Ristani, sepse opozita e konsideron si të mbaruar më 2 tetor mandatin e deputetit, të arrestuar për llogari të drejtësisë belge, ku ka një gjyq për vrasje.
Kushtetuta thotë se, mandati i një deputeti mbaron – veç të tjerash, – kur mungon pa arsye për 6 muaj rresht në Kuvend dhe Partia Demokratike thotë se, të jesh në burg i akuzuar për vrasje nuk është arsye e ligjshme për të mbajtur mandatin e deputetit.
Opozita kërkon nga Kuvendi të sqarojë edhe çështjen e deputetit Arben Ndoka. Ai deklaroi më 7 shtator heqjen dorë nga mandati i deputetit, por ligjërisht Arben Ndoka, i dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, është ende deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Një ditë më parë në Parlament, kryeministri Rama refuzoi t’i japë shpjegime ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, përse mandati i Arben Ndokës është ende efektiv, duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë.1
Top Channel