Maqedoni, Janeva: Këshilli i Prokurorëve të miratojë ekipin tim!

16/10/2015 13:55

Prokurorja Publike Speciale në Maqedoni, Katica Janeva, ka kërkuar nga shtatë prokurorët e përzgjedhur që të mos pranojnë të japin deklaratë solemne me rastin e përzgjedhjes së tyre si pjesë e ekipit të saj.

Kjo kërkesë e Janevës vjen pas vendimit të Këshillit të Prokurorëve të Maqedonisë, që ta miratojë vetëm gjysmën e listës së 14 prokurorëve që ajo kishte kërkuar.
 
“U rekomandojmë prokurorëve që të mos e pranojnë ftesën e Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe të mos japin deklaratë solemne me rastin e përzgjedhjes së tyre, për shkak se ky akt do të ishte vetëm konfirmim i vendimit të Këshillit, që është në kundërshtim me Ligjin për Prokurorinë Speciale Publike”, thotë Janeva në kumtesën për mediat.
 
Janeva kërkon nga Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë të caktojë seancë dhe tw miratojë tërësisht ekipin e prokurorëve publikë që ajo ka propozuar.
 
Menjëherë pasi Këshilli i Prokurorëve miratoi vetëm gjysmën e ekipit të propozuar nga Katica Janeva, reagoi edhe ambasadori amerikan në Shkup, i cili rikujtoi  se zgjedhja e Prokurores Speciale ishte vendim unanim i 108 deputetëve të Parlamentit dhe 4 partive kryesore që udhëheqin bisedimet për daljen e vendit nga kriza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA