Policia e Kosovës brenda 5 ditëve ka sekuestruar rreth 110 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë dhe ka arrestuar 10 persona, si dhe ka sekuestruar edhe 2 armë.
Vetëm gjatë ditës së enjte, Policia e Kosovës në katër raste të ndryshme ka arrestuar 7 persona të dyshuar dhe ka sekuestruar rreth 70 kilogramë substancë të dyshuar narkotike.
Rasti i parë që Drejtoria përHetimin e Trafikimit me Narkotikë ka kryer operacionin, ka ndodhur në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Merdare, në dalje nga Kosova ku janë gjetur 22 paketime të mbushuara me substancë narkotike të llojit marijuanë me peshë 18.711 kg dhe është arrestuar i dyshuari S.I., shqiptar nga Kosova, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.
Rasti i dytë është kryer në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, ku 5 persona janë arrestuar nga Policia shqiptare dhe dy të tjerë nga ajo e Kosovës.
Policia Kufitare ka gjetur 5 qese substancë të dyshuar narkotike e llojit marijuanë, prej 45 paketimeve me peshë të përgjithshme rreth 50 kg.. Rasti procedohet në bashkëpunim të ngushtë ne mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit.
Operacioni i tretë është realizuar në lagjën “Ulpiana” në Prishtinë ku janë zënë në flagrancë duke bërë shit-blerjen e substancës narkotike të llojit marijuanë dhe janë arrestuar tre persona të dyshuar. Lidhur me këtë rast janë kontrolluar tri lokacione te dyshuara dhe janë sekuestruar prova të ndryshme materiale.
Ndërsa, në rastin e katërt Drejtoria për Hetimin e Trafikim me Narkotikë ka realizuar një operacion ne fshatin Dumnicë të ulët të Komunës së Vushtrrisë.
Top Channel