Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha në hapje të mbledhjes së qeverisë se veprimet e opozitës janë të dhunshme dhe nuk i shërbejnë qytetarëve. Sipas tij, ato e dëmtojnë imazhin. Ai kërkoi nga organet e rendit ta kryejnë detyrën e tyre karshi ngjarjeve që kanë ndodhur.
Mustafa tha se kërkesat e opozitës për zgjedhje janë të paqëndrueshme dhe, sipas tij, opozita nuk ka alternativë as për veriun dhe as për asgjë.
“Ata kërkojnë zgjedhje me gaz lotsjellës dhe duan që edhe nëpër vendvotime të hedhin gaz lotsjellës. Si përfaqësues i koalicionit qeveritar, theksoj se koalicioni është shumë i qëndrueshëm dhe po vazhdojmë udhëheqjen e vendit tonë drejt së ardhmes”, tha Mustafa.
Kryeministri kosovar ftoi opozitën që të japë kontributin në institucione dhe mos të pengojë proceset në të mirë të qytetarëve, duke theksuar se brenda këtij viti Kosova merr datën e liberalizimit të vizave.
Kryeministri Mustafa tha se është i gatshëm që të ulet në një tryezë me përfaqësuesit e partive opozitare dhe të diskutojë për të gjithë çështjet që ata vlerësojnë me rëndësi.
Ai tha se përveç tryezës, është i gatshëm sërish që të shkojë dhe të raportojë edhe në Parlament për marrëveshjet apo tema tjera që opozita i vlerëson me rëndësi për t’u debatuar.
Top Channel