Kosovë, Abrashi: Të vendosur të shkojmë përpara. Opozita ka dështuar

16/10/2015 00:35

Për zhvillimet më të fundit në Prishtinë foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Arban Abrashi, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës njëherësh edhe ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale.

Abrashi u shpreh se kauza politike e opozitës nuk po gjen hapësirë te qytetarët dhe kjo sipas tij, është parë në dy protestat e fundit të tyre. Ai tha se opozita po synon ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, “por kjo është e papranueshme”.

Arban Abrashi shtoi se Qeveria është e vendosur të shkojë përpara dhe synimi i saj është që deri në fund të mandatit të përfundojë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë.

Pandi Gjata: Prej javësh ajo që ka ndodhur në Parlamentin e Kosovës është bërë lajm edhe në mediat ndërkombëtare; seanca që po pasohen nga goditje me vezë, përdorimin e gazit lotsjellës. Cili është qëndrimi i qeverisë suaj? Si e shikoni zgjidhjen për të dalë nga ky ngërç dhe kjo situatë bllokimi?

Arban Abrashi: Pamjet janë të këqija, këto imazhe nuk i duhen Kosovës. Ne besojmë që Kosova gjatë këtij viti ka bërë përparime të mëdha. Shpesh po përmendet fjala bllokadë, por në fakt është një uzurpim i Kuvendit. Kjo sjellje është jo civile dhe jo demokratike dhe vandale. Ne si qeveri e kemi bërë të qartë se të gjitha shqetësimet e opozitës ose dikujt tjetër ne do t’i trajtojmë dhe vendi më i mirë për t’i trajtuar ato është Kuvendi. Pas pushimit të verës, në seancën e parë ne kemi kërkuar të diskutojmë të gjitha marrëveshjet, por kjo nuk është lejuar. Kjo tregon se opozita nuk e ka për qëllim debatin rreth këtyre çështjeve, por ka për qëllim bllokadën dhe uzurpimin e Kuvendit. Ata po tentojnë të shtyjnë vendin drejt zgjedhje të reja, por kjo është e papranueshme sepse ne nuk biem pre e shantazheve të një numri të vogël deputetësh, pasi kemi punë të mëdha për të bërë deri në fund të mandatit.

Pandi Gjata: Ju si qeveri si e shikoni zgjidhjen? A do të ketë një ftesë për t’u ulur për të diskutuar?

Arban Abrashi: Ne bëjmë thirrje të rregullta që këto shqetësimi t’i trajtojmë në Kuvend. Por duket se edhe opozita është në presion kohor dhe nuk po zgjidh mjetet që të arrijë qëllimin e saj. Ideja jonë është që deri në fund të mandatit të mbyllim të gjitha çështjet e hapura me Serbinë dhe kështu që kauza e opozitës bie poshtë.

Pandi Gjata: Opozita thotë që të tërhiqet marrëveshja me Serbinë dhe ajo e demarkacionit me Malin e Zi, por kjo sipas jush nuk ka për të ndodhur, apo jo?

Arban Abrashi: Opozita ka shpikur këto dy elemente vetëm për ta çuar vendin drejt kaosit dhe trazirave. Ata po paraqiten si shumë patriotë, por para ndërkombëtarëve po dalin si super qesharakë. Ne jemi të hapur të diskutojmë edhe marrëveshjen edhe çështjen e demarkacionit. Për çështjen e demarkacionit ka qenë një komisionin gjithëpërfshirës, prej ekspertëve, prej përfaqësuesve të komunave dhe fshatrave që kanë punuar 3 vite në ato zona dhe territori i komunave me Malin e Zi nuk është prekur asnjë metër katror. Kryeministri ka bërë ftesa publike që kush ka ndonjë pretendim që ka ngelur jashtë kësaj vije le të vijë dhe ne do të bëjmë menjëherë rishikimin. Gjithashtu edhe marrëveshjet me Serbinë të cilët po nxirren nga konteksti. Megjithatë është Gjykata Kushtetuese e cila do të bëjë verifikimin e marrëveshjeve dhe kushtetutshmërinë e tyre.

Pandi Gjata: A është asociacioni i komunave serbe një tradhti, ashtu siç thotë opozita dhe një “Republika Srbska” si ajo e Bosnjës.

Arban Abrashi: Jo, nuk ka të bëjë fare me këto. Edhe nëse dikush e ka menduar se një gjë e tillë mund të ndodhte ne e kemi parandaluar. Asociacioni është thjesht një platformë ku komunat serbe mund të bashkëpunojnë, por nuk kanë kompetenca ekzekutive.

Pandi Gjata: A ka dështuar Kuvendi i Kosovës në arritjen e masave të sigurisë? Një ditë më parë u tha se do të ketë masa të forta sigurie për të mos lejuar deputetët që të hyjnë me sende që nuk janë të pranueshme në një sallë parlamenti. Më shumë se me Qeverinë dhe Kryeministrin si institucion, opozita e ka betejën me zotin Mustafa si individ, e ka me ju si parti. A e shikoni ju kështu këtë betejë të opozitës?

Arban Abrashi: Realisht beteja e opozitës ka marrë përmasa shqetësuese. Ajo është bërë gjithpërfshirëse. Fatkeqësisht një ditë më parë, përmes zëdhënësit të tyre, ata kanë marrë një vendim ku zyrtarët e lartë publik, cilido që ata mendojnë se ka qenë i përfshirë në një ekip negociator, tani sipas tyre nuk kanë as jetë private. Unë doja të thosha që nuk është një person, por është e tërë qeveria, e tërë shoqëria e hapur. Sa i përket masave të sigurisë, unë mendoj se zyrtarët e sigurisë kanë bërë të pamundurën. Edhe unë kam kaluar sot në sistemet e kontrollit, madje edhe Presidentja, por si duket gazi lotsjellës është futur më herë ose me ndonjë mënyrë tjetër. Unë mund ta quaja këtë si një dështim të opozitës për të bllokuar jetën institucionale, por besoj se kjo është e përkohshme sepse ne jemi të vendosur të vazhdojmë përpara.

Pandi Gjata: Mënyra se si është rreshtuar qeveria dhe opozita në këtë konflikt të tillë ndoshta një negociator nga jashtë do të ndihmonte në uljen e palëve në tryezë. Kjo gjë ndodh në Shqipëri, por edhe në Maqedoni, mos po shkohet drejt një negociuesi të huaj edhe në Kosovë.

Arban Abrashi: Përvojat në rajon tregojnë se është dashur nevoja e një të huaji për të ndërmjetësuar. E mira e kësaj është se ky uzurpim ka bërë që edhe qytetarët të zhgënjehen nga kjo alternativ e opozitës. Opozita ka bërë ftesa në dy raste për protesta, por në të dyja rastet ka pasur një dështim të plotë. Kauza e tyre politike nuk po gjen hapësirë të qytetarët. Gjithashtu edhe një numër brenda këtyre partive kanë shfaqur rezerva ndaj formave që këta i kanë përdorur. Mbi të gjitha koalicioni është i qëndrueshëm në atë që kërkon të arrijë. Ne jemi në prag të anëtarësimit në UNESCO, jemi në prag të nënshkrimit të MSA-së, jemi në prag të marrjes së kodit telefonik, jemi në prag të hapjes së dritës së gjelbër për liberalizim. Këto janë procese shumë të rëndësishme dhe shumë të mëdha që e fuqizojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA