
Në raportin e tij të 17-të vjetor mbi liritë fetare, publikuar të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit del në përfundimin se grupet fetare në mbarë Lindjen e Mesme, Afrikën nën-Sahariane dhe Azinë kanë qenë objekt i abuzimit dhe diskriminimit, “intolerancës dhe armiqësisë fetare, e cila në kombinim me pakënaqësitë politike, ekonomike, shpesh ka çuar në dhunë”.
Ky është përfundimi i përgjithshëm, ndërsa në pjesën e dokumentit kushtuar Shqipërisë nënvizohet fakti se është bërë pak përparim në kthimin e pronave të grupeve fetare të konfiskuara gjatë sundimit të regjimit komunist.
Qindra pretendime të grupeve në fjalë për prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist mbeten të pazgjidhura, thuhet ne raport, ku në mënyrë me specifike përmenden kërkesat e Kishës Ortodokse për rreth 890 objekte dhe prona që ende nuk janë shqyrtuar nga qeveria, përfshirë më shumë se 50 prona të kishave që janë konvertuar në instalime ushtarake.
Mosmarrëveshjet mbi pronën dhe vështirësitë e regjistrimit të pronës e kanë bërë të vështirë për disa grupe fetare që të marrin tokë të re për ndërtimin e objekteve të tyre fetare.
DASH nuk ka lënë jashtë vëmendjes as vështirësitë e grupit fetar Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë për të blerë pronë për ndërtimin e objektit fetar që kanë penguar aftësinë e tyre për të organizuar shërbesa fetare.
Në raport gjithashtu thuhet se disa udhëheqës fetarë kanë vazhduar të sfidojnë rezultatet e censusit të vitit 2011, duke akuzuar qeverinë për mosnumërimin e mjaft anëtarëve të komunitetit të besimtarëve të tyre.
Ndër të tjera përmenden megjithatë edhe disa zhvillime pozitive, përfshirë këtu diskutimin e organizuar nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, ku morën pjesë liderë të myslimanëve sunitë, ortodoksëve, katolikëve, protestantëve dhe bektashinjve, event ky që u përmbyll me lëshimin e një deklarate që dënonte aktivitetet terroriste të Shtetit Islamik.
Në raport theksohet gjithashtu pjesëmarrja e udhëheqësve të pesë feve në meshën që drejtoi Papa Françesku në Tiranë, gjatë vizitës së tij shtatorin e vitit të kaluar.
Top Channel