Përplasja Rama-Dule në Kuvend, Kryeministri: Nuk prishëm asnjë kishë

15/10/2015 20:35

Ish-nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule riktheu në Parlament çështjen e prishjes së kishës në Dhërmi, në muajin gusht.

Në interpelancën me Kryeministrin, kreu i PBDNJ e cilësoi një akt vandal prishjen e ndërtesës, që u shoqërua me jo pak debate në fund të verës.

Vangjel Dule: Ju zoti Kryeministër e keni bërë në orën 04:00 në të gdhirë të datës 26 Gusht. Thonë se përafërsisht në atë orë errësira ishte më e thellë. Ndërmorët aktin më të errët në lidhje me të drejtat e njeriut, lirisë dhe të drejtave fetare në Republikën e Shqipërisë.

Kryeministri Rama: Ngrehina e rrëzuar nuk është kisha martire e “Shën Thanasit”, madje ngrehina në fjalë nuk ka qenë kishë në asnjë ditë të vetme. Objekti i shembur ishte një ngrehinë e rëndomtë pa leje, një lloj garazhi apo stalle, e ndërtuar në mënyrë skandaloze jo nga kisha, por nga brutaliteti individual i viteve ’90 mbi një monument historik.

Vangjel Dule: Mbrojtja e monumenteve, 1974, nuk figuron Kisha e Shën Thanasit. Të flasim më tej për të gjitha dokumentacionet, që nga ato të osmanllinjve dhe deri të vendimi i Gjykatës së Vlorës në vitin 1994, se aty është pronësi e Kishës Ortodokse. Ju jo vetëm e dhunoni arbitrarisht, por përpiqeni të justifikoheni me vendime bakallësh të një inspektori të Himarës dhe nuk shikoni se keni një administratë, bashkiake apo qendrore, që firmos për të plotësuar tekat e një deputeti që ia keni bërë peshqesh këtij populli në këtë Kuvend.

Kryeministri Rama:  I dashur Vangjel, unë fola për “Shën Thanasin” ti fole për mua. Unë nuk jam i shenjtë, por mëkatar si t’i jam, por besoj se një mëkat që nuk e bëj është që të përziej punët fetare me punën time.

Për kreun e partisë që ishte në aleancë me socialistet në fillim të këtij sesioni, e që pasi hoqi dorë nga posti i nënkryetarit të Kuvendit, gjithsesi nuk është rreshtuar në radhët e opozitës,  Edi Rama u tregua i rezervuar në përgjigje. Por ajo që ai nuk bie dakord, është reagimi i Greqisë pas prishjes së ndërtimit në Dhërmi.

Kryeministri Rama: Nuk kam vënë asnjëherë në dyshim dhe nuk kam përmendur marrëdhëniet e tua me besimin, Vangjel. Gjithmonë kam pasur një problem që e kam shprehur, megjithëse nuk e kam kuptuar arsyen se pse sa herë ka një problem me komunitetin ortodoks, duhet që Shqipëria të marrë mesazhe nga fqinji. Nuk e kuptoj dot këtë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA