“Fiks Fare”, skaneri doganor paguhet edhe në pikat ku s’ka skaner

15/10/2015 22:00

Në redaksinë e “Fiks Fare” kohët e fundit kishin ardhur ankesa të shumta nga bizneset në lidhje me skanerin doganor. Është një marrëveshje e lidhur në 2013-n mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë private “S2 Albania” e cila është vënë në zbatim nga shtatori i 2015-s.

Sipas kësaj kontrate, për çdo deklarate doganore duhet të paguhet një tarifë prej 22 eurosh, mirëpo brenda një kamioni mund të ketë deri në 10 deklarata doganore.

Dogana Durrës

Fiksi: Çfarë tarife paguani këtu?
Transportuesi 1: Paguaj 22 euro për një, paguaj këtu, paguaj edhe në Fier. Unë transportoj ushqime, patate nga Italia. Në Itali, ushqimet dhe makinat me ngarkesa asnjëherë nuk futen në skanerë, për shkak të rrezatimit, por vetëm makina bosh. Ne rrimë një javë rrugëve, aty kemi ushqime, ujë… i kam kërkuar zotëriut (punonjësit të doganës) që të pijë pak ujë, më ka thënë “s’më pihet”. Ne na zbresin nga kamioni, por kjo s’ka lidhje, pasi edhe këtu jemi ka rreze.
Fiksi: Sa rrugë bëni juve?
Transportuesi 1: Një rrugë, një javë. Ka kolegë që vijnë çdo ditë me kontinierë, mishë, patate, etj.

Transportuesi 2: Në momentin kur je bosh, mund të futesh në skanim, por jo çdo herë në skanim, ç’është kjo skanim?

Në bazë të kontratës konçensionare, çdo mjet që futet në Doganën e Durrësit i nënshtrohet procesit të skanimit, pavarësisht nëse ka ose jo sinjale për rrezik.

Fiksi: Nga po vjen me këtë autobusin?
Drejtuesi i autobusit: Nga Italia.
Fiksi: Pse ju nënshtrove skanimit?
Drejtuesi: Sepse dyshojnë mos ka ndonjë gjë, mos kam fshehur ndonjë gjë. Autobusin e kemi blerë në Itali dhe do ta përdorim për pasagjerë.
Fiksi: Iu nënshtruar në Itali procesit të skanimit doganor?
Drejtuesi: Jo, jo… vetëm kontroll.

Dogana Tiranë

Fiksi: Në cilat vende ju nënshtroheni skanimeve?
Drejtuesi i kamionit: Në Kosovë jo, në Maqedoni jo, vetëm në Durrës. Aty paguaj 22 euro për skanim.
Fiksi: Me çfarë letre ju pajisin, pas pagesës?
Drejtuesi: Na japin një faturë të vogël.

Dogana Tiranë

Biznismeni: Sot më ka ardhur një kamion nga Spanja dhe drejtuesi sapo mbërriti më thotë “urdhëro, një mandat arkëtimi për skanim”. Aty nuk shkruhet as procesi i skanimit, nuk ka as numër serial. Pagesa duhet të shoqërohet me kupton tatimor. Kamioni mund të ketë 4 ose 5 objekte dhe secilin prej tyre duhet ta paguajë më vete.

Transportuesi 3: Marrin lekë në Vlorë, edhe pse Vlora s’ka skaner. Lekët na ua japim, por s’kanë pse na skanojnë. Ne kemi ushqime në kabinë, kemi ujin. Në Itali skanohet vetëm rimorkio, jo kabina e shoferit, dhe skanimi bëhet kur kamioni është bosh, jo kur është me mallra.

Transportuesi 4: Shkon e merr një faturë në Gjermani dhe kur të arrin në kufi bën një deklaratë tranziti dhe t’i marrin lekët e skanerit, do vish në Tiranë prapë lekët e skanerit, për veturë të vogël, familjare, kjo është turp, skandal.

Dogana Hani Hotit

Republika e Shqipërisë ka gjithësej 26 vendkalime kufitare, tokësore, ajrore dhe detare. Skaner doganor ka aktualisht në Durrës dhe Kakavijë të Gjirokastrës, por pavarësisht këtij fakti, shumën prej 22 eurosh për skanim doganor bizneset e paguajnë megjithëse skaner nuk ka. Ekipi i xhirimit i “Fiks Fare” shkoi edhe në Doganën e Hanit të Hotit që gjendet në Malësinë e Madhe dhe ndodhet në rrugën që lidhë Shkodrën me Tuzin dhe Podgoricën e Malit të Zi.

Fiksi: Ato paratë për skanimin doganor i paguat këtu te Hani Hotit?
Drejtuesi i kamionit: Po e paguajmë, 22 euro.
Fiksi: A ka skaner aty?
Drejtuesi: Jo, nuk ka.

Drejtuesi 2: Eksportoj perime çdo ditë. 2500 tonë perime eksportoj në vit.
Fiksi: Ndërkohë, kryet skanim në Hanin e Hotit?
Drejtuesi 2: Nuk ka aparat, por më japin një mandat arkëtimi.

Dogana Muriqan

Fiksi: Dritan Kruja?
Punonjësi i doganës: Po.
Fiksi: Dritan, interesohemi në lidhje me skanerin doganor të kësaj pike doganore. Ka specifikisht?
Punonjësi i doganës: Nuk ka. Jo, nuk ka.

Vendkalimi i Muriqanit ndodhet në Shkodër dhe lidh këtë qytet me Ulqinin e Malit të Zi. Është vendkalim kufitar tokësor, i katërti për nga vëllimi i trafikut të udhëtarëve. Edhe këtu paguhet tarfia prej 22 eurosh për çdo makinë që hyn për t’u shitur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Skaner nuk ka, kontrolli kryhet me sy të lirë dhe duar.

Shqetësimi i bizneseve

Luan Bregasi, president “Biznes Albania”: Është një konçesion, sipas pikëpamjes së “Biznes Albania”-s dhe gjithë shoqatava të biznesit, korruptiv sepse nuk e ka asnjë vend në botë. E dyta, kontrollet bëhen në bazë të faktorit të riskut, që do të thotë se nëse ka sinjale se një kompani ka një gjë të dyshimtë, atëherë kamioni skanohet dhe tarifën e skanimit e paguan shteti në të gjithë vendet e botës. Normalisht pagesa duhej të bëhej për çdo kamion, pasi nuk mund t’i thuash një pacienti duhet të paguash një skaner për thonjtë, një për mushkëritë, kur skaneri kalon nga fillimi në fund, që do të thotë se duhet të ishte për një kamion, jo për çdo deklaratë doganore. Fasonët, eksportet dhe importet, i bëjnë mbi bazën e deklaratave doganore dhe mund të kenë edhe 20 artikuj, por nuk duhet të implementohet në rast se skaneri nuk vendoset në të gjitha doganat. Biznesi s’mund të paguaj koston e skanimit, kur skanimi nuk bëhet. Është një sistem totalisht korruptiv, projekt plaçkitës për sipërmarrjet private që e ka lënë “Qeveria Berisha”.
Fiksi: Çfarë kosoto sjell për biznesin kjo marrëveshje konçensionare?
Luan Bregasi: Shkon deri në 15 milionë euro në vit. I nxjerrim nga xhepat tanë dhe ia japim një privati. Është një vejdhje e pastër, me ligj.

Gjergj Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve të Shqipërisë: Kjo marrëveshje është antiligjore, pasi ligji doganor i futur në fuqi në janar të këtij viti thotë: Neni 53, Pika 1 se “çdo shërbim doganor në territorin e Shqipërisë që ofrohet nga Dogana Shqiptare është pa pagesë. Çdo shërbim që del nga ky shërbim, paguhet nga shteti”. Kjo amrrëveshje del mbi ligjin. E dyta, ka një kosto shumë të madhe për bizneisn tonë, është rreth 10% të fondit të pagave që ne kemi. Pra, nëse ne kemi rreth 850 mijë të punësuar në të gjithë Shqipërinë, 8500 vende pune do të jenë më pak këtë vit vetëm si pasojë e futjes së skanimit në dogana. Vjen malli në Durrës do skanohet, vjen në Tiranë do skanohet, do dalë nga Tirana do skanohet, do vijë në Durrës do të skanohet prapë, prandaj tani nuk është më 22 euro, por 88 euro për deklaratë doganore. Një kamion nuk matet me deklarata doganore, por me metër kubë, sa mall ka brenda. Në mbledhjen e Bordit kemi vendosur të nisim një betejë ligjore dhe do të presim që fjalën e fundit ta thotë gjykata. Ne do të kërkojmë që këto shpenzime të paguhen nga shteti.

Por, me çfarë rrezesh punon pajisja që kryen skanimin doganor, a janë ato të rerezikshme ndaj ushqimeve që ne fund arrijnë në tryezat tona?

Prof. dr. Elisa Bylyku, drejtoreshë e Institutit të Fizikës Bërthamore: Unë mund të sqaroj se këto janë rreze X, nuk është rrezatim radioaktiv dhe nuk ka efekte mbetëse. Pra, nëse ushqimi i nënshtrohet rrezatimit mbasi kalon nga skenari, nuk ka më efekte rreztauese. Nuk punon me rreze gama që prodhon rreze X.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA