Një filial i Postës Shqiptare është grabitur me armë mesditën e së enjtes në qytetin e Elbasanit.
Ngjarja ka ndodhur në filialin e Postës pranë stadiumit, ku dy persona të armatosur kanë kërcënuar punonjëset. Mësohet se, këto ditë në postë shpërndaheshin pensionet e të moshuarve dhe kjo ka qenë arsyeja, që grabitësit kanë synuar pikërisht këtë datë, kur kishte më shumë parà.
Policia ende nuk i ka identifikuar autorët e grabitjes, ndërkohë që po merren në pyetje punonjësit dhe personat e tjerë, të cilët janë ndodhur aty. Gjithashtu, policia do të shqyrtojë edhe kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.
Ende nuk është llogaritur shuma e grabitur në postë, por nga ngjarja fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Top Channel