Dule: Komisionerë zgjedhorë jopartiakë të të gjitha niveleve

15/10/2015 15:25

Vangjel Dule mbështet propozimin e raportit të OSBE-ODIHR për komisionerë zgjedhor jopartiake. Në një deklaratë për shtyp, pas takimit me kreun e misionit vëzhgues, Audry Glover, Dule tha se raporti për zgjedhjet është më adekuati.

“Vlerësojmë propozimin e OSBE-ODIHR për komisione zgjedhore jopartiake të të gjitha niveleve. Për PBDNJ, përbërja e komisioneve zgjedhore kanë qënë gjithmonë rrënja e së keqe. Së dyti, duhet që me çdo kusht t’i pritet rruga njëherë e mirë si nëpërmjet ngritjes së ndërgjegjes së votuesve, por edhe nëpërmjet masave ndëshkuese të fenomenit më negativ që mund të ketë një proces zgjedhor që është shitblerja e votës. Në demokraci kemi tregun e ideve, jo tregun e mallrave. Zgjedhjet në demokraci kërkojnë qytetarë, nuk kërkojnë thjesht të shpërblyer me 50 apo 100 euro. Në zgjedhje konkurojnë ide dhe alternativa politike dhe jo kush e ble më shtrenjtë vullnetin e qytetarit”, tha Dule.

Dule kërkoi që problematikat e identifikuara në raportin e OSBE-ODIHR duhet të shoqërohen domosdoshmërisht me implementimin absolut të të gjithë rekomandimeve, “me qëllimin një dhe të vetëm, nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e vendeve të juridiskionit të OSBE-ODIHR me zgjedhje problematike”.

Top Channel