Në Shqipëri do të hyjnë barna edhe nga vendet e Ballkanit, apo çdo vend tjetër prodhues pa kaluar më parë periudhën prej dy vjetësh të përdorimit në shtetet anëtare të Bashkimit Europian, siç ka qenë e parashikuar në ligjin e vjetër.
Kjo risi e ligjit të ri, për opozitën do të thotë lejimin e futjes në vend të barnave të skaduara apo pa cilësi, çka u kundërshtua nga ministri Beqaj.
Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë: Projektligji, siç mund të lexohet, thotë që; barnat me origjinë nga vendet e Ballkanit regjistrohen në Shqipëri pasi janë regjistruar në vendin përkatës dhe pasi qarkullojnë në vendin përkatës. Kjo do të thotë që nuk bëhet fjalë për kontrabandë, nuk bëhet fjalë për barna të falsifikuara.
Albana Vokshi, deputete e PD-së: Vërtetë e keni vënë fjalën “qarkullojnë” por hoqët afatin prej 2 vitesh dhe kjo lejon çdolloj kompanie që mjafton të marrë një vërtetim dhe të fusë çdolloj bari në Shqipëri. Jeni i vetmi deputet, ministër i certifikuar si abuzues me fondet publike, pra në njëfarë mënyre “hajdut” i fondeve publike.
Debati i gjatë për ligjin e barnave, nuk u shkëput nga akuza për ministrin e Shëndetësisë, ish-kompania e të cilit, sipas opozitës, është bërë përfituesja e tenderave në shëndetësi në vleren e 10 milionë eurove.
Ministri Beqaj deklaroi se “Intech +” kishte fituar tendera edhe në kohën e PD. Por Jorida Tabaku, ish-punonjëse e kësaj kompanie deklaroi se në faqen online të publikimit të rezultatit të tenderave, “Intech +” rezulton se nuk ka fituar asnjë tender gjatë qeverisjes Berisha.
Ministri i Shëndetësisë, gjithsesi, solli si argument edhe shitjen e aksioneve dhe shkëputjen nga kompania përpara se ai të bëhej deputet dhe më pas ministër.
Top Channel