Ministri i Energjisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, i shoqëruar nga një grup investitorësh arabë, po viziton Shqipërinë për të parë mundësitë e investimit në infrastrukturë, energji, turizëm dhe bujqësi.
“Gjatë forumit të biznesit që organizohet sot dhe focus grupit të specializuar që do të zhvillohet nesër sa i përket turizmit, infrastrukturës dhe bujqësisë jam i sigurtë që do të arrijmë të identifikojmë projekte të interest të përbashkët”, tha Suhail Mohammed Faraj Al Mazrouei, Ministër i Energjisë i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Prania e investimeve arabe në Shqipëri është thuajse e papërfillshme. Por Ministri i Zhvillimit Ekonomik, pas takimit me delegacionin arab, foli për një projekt të rëndësishëm investimi në infrastrukurë ndonëse nuk dha detaje mbi të, kompaninë apo vlerën e investimit.
“Porsa i përket investimeve të huaja, nuk ka ende kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe prezente në Shqipëri, akoma modeste, por lajmi i mirë është që një kompani e mirënjohur në botë, nga Dubai, ka shprehur interes të drejtpërdrejtë dhe është në një fazë të avancuar të bisedimeve me qeverinë shqiptare për të zhvilluar një projekt madhor në infrastrukturë”, tha Arben Ahmetaj, ministër i MZHETS-së.
Dy ministrat shprehën nevojën e një linje direkte fluturimi mes dy vendeve për të afruar më shumë turistët dhe përmbyllën marrëveshjen për “Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve” që synon të rrisë prezencën e investimeve arabe në Shqipëri.
Top Channel