Basha takon Gloverin: Reforma zgjedhore kërkon vullnet politik

15/10/2015 21:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka takuar të enjten shefen e Misionit Vëzhgues të ODIHR-it për zgjedhjet qershorit, Audrey Glover.

Kreu i PD-së falënderoi Gloverin për punën e saj dhe veçanërisht për raportin realist, i cili, sipas tij, nënvizoi problemet e rënda të konstatuara në zgjedhjet e 21 Qershorit, si pasojë e abuzimit me pushtetin dhe presionin e jashtëligjshëm të qeverisë dhe maxhorancës.

Kryetari i opozitës, nënvizoi se të gjitha shkeljet e standardeve të OSBE-së të konstatuara nga raporti dhe hapat mbrapa në krahasim me zgjedhjet e shkuara, ishin produkt i drejtpërdrejtë i mungesës së plotë të vullnetit politik nga ana e krerëve të shumicës Rama dhe Meta, në funksion të qëllimit për të fituar zgjedhjet me çdo kusht.

Basha theksoi nevojën urgjente për fillimin e një reforme zgjedhore përmes konsensusit, por nënvizoi se pa vullnetin politik për të zhvilluar zgjedhje të vërteta demokratike, çdo reformë zgjedhore në letër është e pamjaftueshme.

Basha vlerësoi si të domosdoshme asistencën e ODIHR-it për fillimin e një reforme me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor demokratik në Shqipëri dhe ftoi ODIHR-in që të kontribuojë në mënyrë aktive me ekspertizë në këtë proces. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta demokratike, gjë që do të kthente besimin e publikut te kontrolli i pushtetit nëpërmjet votës së lirë. 

Glover shprehu gatishmërinë për kontribuar në përmirësimin e standardeve të procesit zgjedhor në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA