PD, akuza ministrit Beqaj: Kompania e tij shumëfishoi fitimet, që kur u bë ministër

14/10/2015 00:00

Për të përmbushur një kërkesë kushtetuese, që 4 vite më parë i kushtoi mandatin e deputetit, Ilir Beqaj ia shiti paketën e tij të aksioneve ortakut, me të cilin ndante kompaninë “Intech plus”.

Zyrtarisht, emri i ministrit të Shëndetësisë nuk mund të lidhet më me këtë kompani, që nga 9 shtatori i 2013-s, por Partia Demokratike e akuzoi Ilir Beqajn se po fiton pasuri marramendëse nga fondet publike.

Dokumentet e publikuara në media, të cilave iu referua Partia Demokratike, tregojnë se gjatë 22 muajve të fundit, “Intech plus” ka marrë 10 milionë euro fonde publike.

“Një kompani modeste, e cila përpara vitit 2013 deklaronte shitje në vlerën e rreth 63 milionë lekëve dhe fitim neto prej 8.9 milionë lekësh, dy vite pasi themeluesi i saj, Ilir Beqaj ka marrë postin e ministrit, ajo është shumëfishuar: ka arritur vlerën e shitjes në 160.7 milionë lekë, duke rritur fitimin neto në 42.8 milionë lekë. Qëkurse ministri i Shëndetësisë, z. Beqja ka hyrë në zyrë, kompania e tij ka rritur fitimin me gati 100 milionë lekë të reja, ose 2.5 herë më shumë, dhe ka sjellë një 5-fishim të fitimit neto të deklaruar. Kam këtu pasqyrat e të ardhurave dhe shpenzimeve të deklaruara nga kjo kompani, që tregojnë këto shifra marramendëse dhe ju mund t’i shihni në ekran”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku gjatë konferencës për shtyp të së mërkurës.

Në llogaritë e saj, Partia Demokratike ka ndarë veç se, sa parà publike ka fituar ish-kompania e ministrit të Shëndetësisë pa konkuruar, me prokurim të drejtpërdrejtë.

“Ministri ‘Intech +’ ka siguruar deri më tani 14 tendera në mënyrë të drejtpërdrejtë, vetëm për vitin 2015, në vlerën e 795.3 milionë lekëve, ose rreth 7 milionë euro. A mundet që një kompani modeste të fitojë kaq shumë parà, nëse ish-aksioneri i saj kryesor nuk do ishte bërë ministër i Shëndetësisë?”, pyeti më tej deputetja Tabaku.

Partia Demokratike ia dha vetë përgjigjen kësaj pyetjeje, duke e quajtur një aferë të pastër korrupsioni me fondet publike.

“Kjo nuk do të ishte e mundur normalisht, por kjo është skema e Edi Ramës dhe ministrave të tij, për t’u pasuruar me taksat e shqiptarëve, për të vjedhur sa më shumë. Bashkë me qytetarët, ne do t’i ndalim e do vëmë ligjin mbi vjedhjen, ligjin mbi korrupsionin”, tha Jorida Tabaku.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta