Gjiknuri: Kallëzimi i KLSH-së, sulm i PD. S’ka asnjë bazë juridike

14/10/2015 19:20

Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri ka reaguar pasditen e së mërkurës lidhur me kallëzimin penal të bërë ndaj tij nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në një deklaratë për mediat, Gjiknuri e ka cilësuar këtë kallëzim si një sulm politik të opozitës ndaj qeverisë, që për më tepër, siç tha ai, nuk përmban asnjë bazë ligjore.

“U njohëm sot me kallëzimin dhe raportin e KLSH, i paralajmëruar me kohë nga ish-kryeministri Berisha, në seancën parlamentare të 10 shtatorit 2015. Teksa sulmonte marrëveshjen e arritur me mirëkuptim me CEZ Shpërndarje, ai deklaroi: ‘ne nuk do ta lëmë këtu, e kemi diskutuar gjerësisht dhe në mënyrë absolute presim, meqenëse disa institucione të kontrollit po shqyrtojnë këtë çështje’. E shoqëruar me raportin e sotëm, deklarata e tij konfirmon se kryetari i KLSH-së është vënë në shërbim të mazhorancës së djeshme, që e vendosi në krye të këtij institucioni. Ky i fundit po i kthen kështu haraçin propozuesit të djeshëm, ndërsa raporti përbën vetëm një riprodhim të shëmtuar të akuzave të PD ndaj qeverisë”, ka deklaruar Gjiknuri.

Ai ka theksuar se, në asnjë fjali të këtij raporti nuk citohet asnjë ligj e asnjë gërmë e pretenduar nga grupi negociator i qeverisë, i përbërë nga 3 ministra.

“Ky nuk është një kallëzim i KLSH, ky është një kallëzim i PD. Pretendimet e ngritura në raport përkojnë me ato të ngritura nga PD lidhur me këtë marrëveshje”, ka vijuar Gjiknuri, i cili ka dhënë 3 sqarime përkatëse.

“Sqarojmë se, referuar pretendimit se vlera prej 95 mln euro për pagesën e dakordësuar është e pabazuar në dokumentacion. Sepse vlera e konkluduar në marrëveshje është detyrim ndaj palës çeke dhe përfaqëson detyrime kontraktuale”, ka sqaruar Gjiknuri.

Së dyti, ka vijuar ai, vlera e pretenduar e dëmit prej 352 mln euro ndaj KESH dhe OST është përsëritje e akuzave politike dhe nuk ka asnjë argument financiar apo ligjor.

“Madje, ky pretendim vjen me shpërfillje të vetë pasqyrave financiare të cilave u referohet auditi. Detyrimi total i CEZ Shpërndarje ndaj KESH dhe OST, i kontabilizuar nga auditi, vlerësohet me 29 mld lekë pa penalitete. Po t’i zbresësh 10 mld detyrime që institucionet shtetërore të qeverisë Berisha i kishin CEZ, vlera shkon në 19 mld lekë, ose 130 mln euro”, ka shtuar ministri i Energjitikës.

Ndërkohë, në raportin e KLSH-së, ka vlerësuar ai, fshihet me dashje vlera e të ardhurave të arkëtueshme të CEZ, “me rreth 500 mln euro pa kamatëvonesa dhe që kalon në favor të palës shqiptare me anë të marrëveshjes së arritur me mirëkuptim”.

“Së treti, e gjejmë të pavend pretendimin për dëm prej 32 mln euro. Pikërisht pse CEZ kishte një vlerë tregtare negative, sipas kushtit të marrëveshjes së zgjidhur me mirëkuptim, aksionet e CEZ Shpërndarje dhe asetet e saj i kaluan falas shtetit shqiptar. Pra, duke mosnjohur pretendimet e CEZ Sh.A për privatizim prej 102 mln euro dhe vlerën prej 24 mld lekë të aseteve të kësaj kompanie”, ka shtuar Gjiknuri.

Ai ka vënë në dukje se, në raport mungon tërësisht analiza juridike dhe financiare e shkaqeve që çuan në lindjen e këtij konflikti, “që për nga vlera financiare dhe problematika do të cënonte rëndë furnizimin e shqiptarëve me energji elektrike”. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA