Ndryshimet e fundit ligjore në Kodin Penal, që dënojnë me burg shkeljet tatimore, kanë tensionuar marrëdhëniet mes biznesit dhe Qeverisë.
Stefan Pinguli, industrialist: E gjithë masat e biznesit, sidomos i vogli, por edhe i madhi, po merr barrën e parregullsive të gjykatës dhe administratës dhe të ligjeve që nuk janë ende të stabilizuara.
Luan Bregasi, Biznes Albania: Masat që janë menduar për të luftuar informalitetin, po t’i shikosh hollë godasin direkt sipërmarrësit shqiptarë, ndërmarrjet dhe gjejnë rrugë të tilla që demoralizojnë dhe deformojnë aksionin kundër informalitetit.
Sipas përfaqësuesve të sipërmarrjes, ndryshimet ligjore ka rënduar klimën e biznesit në vend duke rritur pasiguritë.
Luan Bregasi: Kemi mjaft vështirësi, tashmë jo sepse nuk duam që të rregullohet kjo çështje, por për shkak të burokracive, keqkuptimeve, mjaft administratorë kanë kërkuar të largohen nga drejtimi i kompanive.
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë: Edhe nëse nuk do të kenë efekt në zbatim këto masa, thjeshtë propozimi dhe miratimi i tyre krijon efekte negative në të bërin biznes.
Stefan Pinguli, i cili vjen nga radhët e industrialistëve, thotë se efekti i tyre nuk do jetë ai që shpreson Qeveria, por një tjetër.
“Këto masa nuk do të krijojnë absolutisht asgjë, vetëm se do krijojnë një konfuzion moral, pak është krijuar, por do të krijojnë më tepër dhe mbi të gjitha biznesi nuk do të ketë më mundësi të investojë”, thotë Pinguli.
Në këtë situatë, Nikolin Jaka dhe Luan Bregasi kanë të dy nga një ofertë për deputëtët, të cilët do të votojnë Kodin Penal.
Nikolin Jaka: U bëj një ofertë të ndershme të gjithë deputetëve shqiptarë, që mund të heqin dorë nga mandati i tyre i parlamentit dhe mund të punojnë me paga 3 herë më të larta në sipërmarrje në rolin e administratorit, duke i lënë përgjegjësinë dhe privilegjin që të administrojnë kompanitë dhe njëkohësisht të ruhen nga ky ligj që po miratojnë sot.
Luan Bregasi: Kemi parë në komisionet parlamentare deputetë të nervozuar që bërtasin burg për biznesin. Këta deputetë duhet të shikojnë marrëdhëniet e tyre me ligjin me rregullin dhe pastaj të krijojnë këtë atmosferë ndaj sipërmarrjes private.
Ndryshimet në Kodin Penal janë duke u diskutuar në Komisionet Parlamentare dhe ashpërsojnë fort ndëshkimin ndaj një sërë shkeljesh tatimore.
Top Channel