Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i është përgjigjur Partisë Demokratike lidhur me përfitimet e një kompanie që ministri ka qënë themelues. Në një dalje për mediat, Beqaj tha se ka shkëputur marrëdhëniet me kompaninë që ka themeluar që në shtator të 2013. Por tha ai, balta që po hidhet “drejt meje, nuk do ta ndryshojë drejtimin e duhur të reformës në shëndetësi”.
“Sot po vendosim baza të reja për shërbimin kombëtar shëndetësor. Po dua të siguroj të gjithë sot se balta qe vjen drejt meje, prej kohësh tanimë si reagim për interesa të shkelura, nuk do ta ndryshojë dot drejtimin e duhur të reformës në shëndetësi që do të vazhdojë. Reforma do vazhdojë si kusht i domosdoshëm. Është e vërtetë që kam qënë themelues, bashkëaksioner dhe i përfshirë në aktivitetin e kompanisë deri në shtator 2013, dhe ashtu siç është e vërtetë që ditën që u bëra ministër kisha hequr dorë nga aksionet e mia që nuk ia kam falur ndonjë të afërmi, po ia kam shitur mes një kontrate të rregullt bashkëthemeluesit të kompanisë. Këtë shpjegim nuk e kisha detyrim ndaj PD-së e aq më shumë ndaj atyre që hedhin gurin dhe fshehin dorën e hakmarrjes për shkak të disa politikave të qeverisë që prekin interesat e tyre private dhe aspak të ligjshme. Kisha detyrën ta bëja para publikut”, deklaroi ministri i Shëndetësisë.
Madje ai tha se kompania e themeluar prej tij ka patur vitet më të mira në kohën e qeverisjes së demokratëve.
Pas këtij reagimi, me anë të një njoftimi për shtyp edhe kompnia “Intech+Sh.P.K.” ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga opozita. Në njoftimin e firmosur nga pronari i vetëm i kësaj kompanie, Sokol Sinani, publikohen dhe xhirot e realizuara ndër vite nga kjo sipërmarrje.
“Në 2014, subjekti “Intech+Sh.P.K.” ka realizuar një xhiro prej 206.8 milionë lekësh. Gjatë 2015-s (periudha janar-shtator) xhiroja e realizuar nga subjekti është 160.2 milionë lekë. Pra, është lehtësisht e verifikueshme se xhiroja e subjektit është shumë larg vlerës së raportuar prej 11 milionë dollarësh”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Sipas saj, do të mjaftonte një verifikim i thjeshtë për të kuptuar se qëllimi i raportimit “të broçkullave të tipit, shpif, shpif se diçka do të mbetet është thjesht dhe vetëm përbaltja e njollosja me çdo mjet e punës së subjektit”.
Top Channel