Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë këtë të mërkurë në Kutalli, pjesë administrative e Bashkisë së Urës Vajgurore, ku ka zhvilluar një takim me fermerët e kësaj zone dhe ka premtuar se bujqësia do të jetë në vëmendjen e qeverisë së djathtë.
“Duke ardhur në zonën tuaj pashë kanale kullimi ku nuk është vënë dorë nga Qeveria, dëgjova histori të çmimeve të larta të pesticideve dhe farërave pa garanci dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë në koston e prodhimit tuaj. Këto prodhime me kosto më të lartë se vjet nuk shiten dot në treg sepse fermerëve ju kërkohet NIPT-i. Qeveria e luftës kundër informalitetit i kërkon NIPT fermerit, por bujqësia nuk është as e imja dhe as e Qeverisë, është e 50 përqind të shqiptarëve që punojnë në të”, u shpreh në fjalën e tij Basha.
Basha premtoi se nesër në qeveri, e djathta do të dëgjojë dhe do të ofrojë zgjidhje për problemet e fermerëve. Ai ripërsëriti premtimin se ndaj fermerëve do të aplikohet vetëm taksa e tokës dhe asnjë taksë tjetër.
“Nuk do të ketë më NIPT për ju. Kemi shumë probleme të akumuluara në bujqësi, por edhe probleme të kirjuara nga Qeveria, e cila nuk ndërhyn me investime në këtë as për pastrimin e kanaleve kulluese”, u shpreh Basha.
Top Channel