Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë 1-ditore në Çeki me ftesë të homologut Bohuslav Sobotka, i cili në konferencën e përbashkët për shtyp ofroi ekspertizën çeke në atë që ai e quajti rrugëtim europian të Shqipërisë drejt BE-së.
“Konstatoj që marrëdhëniet mes Çekisë dhe Shqipërisë gjatë muajve të fundit kanë marrë një dinamikë të re. Ajo çfarë Çekia për momentin mund të ofrojë si ndihmë është përgatitja e Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së, i cili është i mundimshëm dhe ne jemi të gatshëm të japim eksperiencën tonë. Për Çekinë integrimi Ballkanit Perëndimor në BE është një politikë e pandryshuar. Shqipëria pas marrjes së statusit të vendit kandidat, gjë të cilën ne e përkrahëm…edhe sot kjo përkrahje nuk ka ndryshuar dhe vijoni ta keni atë. Stabiliteti Ballkanit Perëndimor është parandalimi më i mirë për çdo problem që mund të lindi nesër në rajon. Kriza e sotme e emigracionit në BE na bën ta kuptojmë sa më mirë Ballkanin Perëndimor duke e parë në një kendvështrim afatgjatë dhe prandaj merr rëndësi integrimi këtij rajoni në BE”, tha Sobotka.
Kryeministri Sobotka gjithashtu u shpreh i gatshëm për shtimin e bashkëpunimit në infrastrukturë dhe turizëm. Marrëdhëniet mes dy vendeve, tha kryeministri Edi Rama, kanë një potencial të madh dhe fuqi tërherheqëse. “Ata 14.000 mijë çekë që vizituan këtë sezon turistik Shqipërinë, theksoi Rama, janë një shembull i mirë që duhet avancuar.
I pyetur për krizën e refugjatëve, ku është përfshirë Europa, kryeministri Rama lëshoi kritika ndaj BE-së sesi është duke e menaxhuar situatën.
“Kriza e sotme është vetëm pasojë e mungesës së një strategjie të qartë, të përbashkët europiane pastaj edhe më gjerë, lidhur me zhvillimet e kahershme në Siri. Do të ishte me vlerë të madhe në të ardhmen që kjo krizë të shërbente si një këmbanë e madhe alarmi për vetë Europën, për atë që Europa duhet të bëjë me vetveten dhe për faktin që është momenti për të mos iu dorëzuar forcave anti-europiane, të cilat duke propozuar zgjidhje në dukje shumë të lehta për njerëzit, në fakt ofrojnë kthimin mbrapsht dhe daljen nga historia”, tha Rama.
Së bashku me homologët e tyre, ministrat Klosi,Nikolla dhe Ahmetaj nënshkruan 5 marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit, mbrojtjes sociale, arsimit, menaxhimin e fatkeqësive natyrore si dhe një memorandum bashkëpunimi midis agjencive shtetërore për mbrojtjen e mjedisit.
Kjo vizitë e kryeministrit Rama në Çeki zhvillohet vetëm pak ditë nga debatet brendshme politike në Tiranë për kompaninë çeke CEZ, çështje të cilën pala çeke e konsideron si të mbyllur.
Top Channel