Partia Demokratike akuzon qeverinë se po neglizhon situatën e përmbytjeve. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha se opozita do të kërkojë llogari deri në fund, dhe qeveria u detyrohet qytetarëve t’i dëmshpërblejë.
“Populli vuan nga përmbytjet aq sa nuk ka vuajtuar në 20 vitet e fundit të marra së bashku. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë, ose ajo çfarë ka bërë është lënia pa energji elektrike e hidrovorëve. Qytetarët janë në dorë të Perëndisë sepse qeveria dhe Edi Rama nuk e kanë mendjen të hallet e tyre. Partia Demokratike do të kërkojë llogari deri në fund. I nxisim qytetarët të kërkojnë të drejtën e tyre dhe të evidentojnë dëmet që kanë pësuar. Qeveria u detyrohet dëmshpërblim të plotë e të shpejtë dhe ne do të jemi në krah të tyre derisa kjo të ndodhë”, deklaroi Ristani.
Ai akuzoi qeverinë se ka hequr plot 5 milionë dollarë nga fondi i investimeve i parashikuar për kullimet dhe kanalizimet.
“Ndërkohë ministri i Bujqësisë deklaroi se hidrovoret kanë qënë jashtë shërbimit ditët e reshjeve, se nuk kanë pasur energji. Ja ku del njëra dorë e qeverisë. Kjo është një dorë kriminale që duhet hetuar me urgjencë dhe përgjegjësit para ligjit për këtë maskaradë që kanë kryer me jetën e pronat e qytetarëve. Dora tjetër e qeverisë është kujdesur të heq fondet parashikuar për kullime dhe kanalizime. Janë hequr 5 mln dollarë, që po të ishin investuar qindra familje do të kishin shpëtuar nga uji e balta”, tha Ristani.
Top Channel