PD: Rama, bllokadë dekriminalizimit. Tani po inkriminon pushtetin lokal

13/10/2015 13:15

Partia Demokratike, përmes deputetit Gerti Bogdani ka akuzuar këtë të martë kryeministrin Edi Rama, se është i vendosur të bllokojë dekriminalizimin me çdo mjet e mundësi që ka në dorë.

“Rastet që ai ka për të treguar vullnet vazhdojnë të shërbejnë si shembuj vendosmërie dhe këmbënguljeje për të, për të bashkjetuar me krimin, sepse është ai që i ka hapur dyert krimit dhe e ka bërë sot pjesë të Parlamentit dhe qeverisjes”, ka deklaruar Bogdani.

Ai ka kujtuar se, prej 6 muajsh deputeti Mark Frroku mungon në Parlament për shkak se ka hesape për të mbyllur me drejtësinë belge. Por megjithatë, ka shtuar ai, Edi Rama ia ruan me fanatizëm mandatin në Kuvend.

“Kaq mund të bëjë, po të kishte në dorë drejtësinë belge me siguri do bënte edhe më shumë. E fshehu kërkesën e Interpolit dy herë për deputetin dhe aleatin e tij, në këmbim të zgjedhjeve në Pukë, në këmbim të manipulimit të procesit ndaj Ilir Metës”, ka thënë Bogdani.

E njëjta gjë sipas tij po ndodh edhe me Arben Ndokën, i cili edhe pse deklaroi se e dorëzoi mandatin, sërish rezulton deputet.

“Asnjë shenjë nga Edi Rama për ta larguar nga radhët e tij, sepse për më tepër nuk ka as me kë ta zëvendësoje, deputeti i radhës i Edi Ramës është gjithashtu i dënuar nga gjykata. Dhe këto, pavarësisht denoncimeve nga Departamenti i Shtetit”, ka nënvizuar Bogdani.

Më tej ai ka akuzuar edhe kryetarët e bashkive në Tiranë e Durrës se po inkriminojnë me shpejtësi pushtetin lokal.

“Veliaj ka caktuar drejtorë të rëndësishëm tek Ujësjellësi dhe tek Tatimet autorë të plagosjeve të rënda. Asnjë reflektim, edhe pse ne i denoncuam publikisht dhe me prova. Edhe pse Tirana ka plot të rinj dhe intelektualë, Veliaj zgjedh njerëz të inkriminuar që t’i sherbejnë atij çdo ditë dhe jo qytetarëve”, ka thënë Bogdani.

“Ndërsa Dako i Durrësit ka shkuar edhe më larg. Ai ka emëruar administrator të Sukthit një njeri me precedentë të tmerrshëm kriminalë dhe pikërisht personin që gjatë fushatës së zgjedhjeve goditi dhe plagosi aktivistë të PD-së”.

“Të gjitha këto po ndodhin me frymëzimin e Edi Ramës, i cili ka bllokuar dekriminalizimin dhe po mbjell inkriminime të reja kudo ku jepet rasti”, ka shtuar deputeti i PD, i cili ka rikonfirmuar vullnetin e opozitës për ta çuar çështjen e dekriminalizimit deri në fund.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA