
Partia Demokratike i është drejtuar me një letër kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për hetimin e çështjes CEZ. Në këtë letër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, shpreh shqetësimin se “kërkesa për lejimin e hetimit ndërkombëtar të CEZ-it nuk është në kalendarin e Kuvendit për 3 javët në vijim”.
“Duke e vlerësuar si emergjente nevojën e miratimit të këtij ligji, për shkak se duhet t’i hapë rrugë një hetimi të shpejtë, të plotë, gjithëpëfshirës dhe të pavarur të aferës së cështjes “CEZ Shpërndarje”, në mbështetje të nenit 28 të Rregullores së Kuvendit, kërkuam shqyrtimin e këtij projektligji me procedurë të përshpjetuar. Kjo kërkesë u refuzua fatkeqësisht me forcën e kartonit të shumicës parlamentare. Në këto kushte, zgjidhja e vetme ishte përfshirja e saj në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit dhe vijimi i procedurës normale për shqyrtimin e këtij projektligji. Mirëpo, edhe pse ju personalisht, në cilësinë tuaj si Kryetar i Kuvendit, votuat pro shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji, duke vlerësuar në këtë mënyrë, njëlloj si Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, natyrën urgjente që paraqet miratimi i këtij ligji, me keqardhje konstatojmë se në draft Kalendarin e Punimeve të Kuvendit për 3 javët në vijim nuk është përfshirë projektligji “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar”, lexohet në letrën e partisë më të madhe opozitare në vend.
Paloka shton: “Duke qenë se ju personalisht e cilësuat emergjente nevojën për miratimin e këtij ligji (duke votuar pro shqyrtimit të tij me procedurë të përshpejtuar), si dhe duke qenë se hartimi dhe propozimi i draft Kalendarit 3 javor të Punimeve të Kuvendit, sipas pikës 1 të nenit 27 të Rregullores së Kuvendit, është kompetencë ekskluzive e Kryetarit të Kuvendit, duam të besojmë se mospërfshirja e këtij projektligji në draft kalendarin e shpërndarë tashmë tek anëtarët e Konferencës së Kryetarëve, ka qenë një harresë e paqëllimshme nga ana juaj! Kjo për faktin se mospërfshirja e qëllimshme në Kalendarin 3 javor të Punimeve të Kuvendit e projektligjit “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.””, nënkupton mungesë koherence në veprimet tuaja si Kryetar i Kuvendit, mungesë sinqeriteti institucional dhe politik nga ana juaj në votimin pro shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar, si dhe mungesë të plotë të vullnetit politik tuajin personalisht dhe të mazhorancës parlamentare, në zgjidhjen dhe zbardhjen e plotë, të shpejtë dhe të paanshme të aferës CEZ”.
Letra përfundon me vënien në dukje nga ana e PD-së se “çdo vonesë në miratimin e këtij ligji, është në dëm të hetimit të plotë dhe gjithëpërfshirës, si dhe potencialisht pamundëson zbulimin e të vërtetës dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës”.
Top Channel