
Një operacion antidrogë i zhvilluar nga forcat e policisë kryeqytetase në zonat periferike të Tiranës, pranë Rinasit, gjatë orëve të mbrëmjes së të martës, ka përfunduar me arrestimin e 4 personave.
Policia ka bërë të ditur se në momentin e arrestimit 4 personave iu sekuestrua 10 kg kanabis, si dhe një armë zjarri. Ndërsa në banesën e njërit prej të arrestuarve u gjet një serë me bimë narkotike.
Identitetet e të ndaluarve, sipas komunikatës së policisë, janë: Ergys Macuku, 31 vjeç, Daniel Hida, 33 vjeç dhe Erjon Daka, 21 vjeç, që të tre banues në Tiranë, si dhe Alban Qira, 24 vjeç, banues në Borizanë.
Lënda narkotike e kapur gjatë operacionit të koduar “Aeroporti”, dyshohet nga policia e kryeqytetit të ketë pasur si destinacion tregun e brendshëm, ndërkohë që forcat blu kishin siguruar më parë informacione se këta shtetas merreshin me shitjen e lëndëve narkotike.
Shtetasit e ndaluar ishin duke udhëtuar me një mjet tip “Opel”, me targë AA 334 KT, në drejtim të Rinasit, në momentin kur u ndaluan në flagrancë nga policia. Kontrolli i ushtruar më pas në automjet zbuloi edhe sasinë e lëndës narkotike të dyshuar si kanabis sativa.
Top Channel