
Komisioni Europian pritet të shtyjë sërish publikimin e raporteve të progresit për vendet kandidate dhe potencialisht kandidate në BE.
Megjithëse paketa e zgjerimit parashikohej të paraqitej zyrtarisht më 14 tetor, ekzekutivi i BE-së vendosi javën e kaluar ta shtyjë miratimin me justifikimin e “vëmendjes së duhur mediatike”, meqenëse refugjatët ishin në fokus të samitit europian të kësaj jave.
Zgjerimi pritej të përfshihej në mbledhjen e radhës së Kolegjit të Komisionerëve, më 21 tetor, por me gjasë, raportet e progresit mund të shtyhen përsëri. Zëdhënësi i KE-së mohoi zërat se, kjo vonesë lidhej me raportin e progresit për Turqinë dhe negociatat e BE-së me këtë vend kandidat, për zgjidhjen e situatës aktuale të refugjatëve.
“Është e vërtetë se raportet e progresit publikohen gjatë kësaj periudhe të vitit dhe nuk është se ka një përcaktim më ekzakt për këtë. Ne menduam që këto ditë, për shkak edhe të shkëmbimeve që vijojnë prej disa javësh, të përqëndroheshim te trajtimi parësor i krizës së refugjatëve. Kjo ka më shumë rëndësi tani, sepse kemi dhe samitin europian me prioritet absolut mbi këtë çështje. Kur kjo të përfundojë, atëherë ne do të shohim raportet e zgjerimit, sigurisht, pasi kjo përbën dhe një detyrim institucional për këtë shtëpi. Por, nuk lidhet me asgjë tjetër, përveçse dhënies së vëmendjes së duhur publike e mediake mbi këtë fushë”, tha Margaritis Schinas, kryezëdhënës i KE-së.
Nga ana tjetër, Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn parashikohet të udhëtojë drejt Madridit gjatë pasdites së 21 tetorit, sikundër dhe një pjesë e mirë e komisionerëve të djathtë, që marrin pjesë në samitin dyditor të Partive Popullore Europiane.
Në rast të mospublikimit të paketës së zgjerimit më 21 tetor, mbledhja e radhës së Kolegjit të Komisionerëve mbahet në Strasburg, më 27 tetor.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel