
Një doganier është ndaluar dhe 3 të tjerë do të procedohen penalisht në gjendje të lirë, pas një aksioni të sektorit të Krimit Ekonomik të Drejtorisë së Policisë së Fierit, të koduar “Boti”, zhvilluar pasditen e së martës.
Aksioni thuhet të jetë zhvilluar pas një informacioni të marrë në rrugë operative në lidhje me veprimet abuzive të kryera nga 4 punonjës të shërbimit doganor të Fierit, ndaj dhe të akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” ka përfunduar shtetasi Adrian Alikaj, 47 vjeç, doganier në Doganën e Fierit, ndërkohë që janë proceduar shtetasit B.N. 47 vjeç, N.B. 46 vjeç dhe A.S. 30 vjeç, sërish punonjës dogane.
Ata dyshohen t’i kenë kryer veprimet për të cilat akuzohen në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë kohës që kanë qenë në shërbim në Ballsh, duke lejuar të kalonin 3 bote me naftë pa iu nënshtruar kontrollit doganor. Hetimet e mëtejshme për ta do të kryhen nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier.
Top Channel