De Biasi: Ja pse ndjehem shqiptar

13/10/2015 11:30

Gianni De Biasi është protagonisti kryesor i suksesit historik të kuqezinjëve. Timonieri i kombëtares shqiptare, që na udhëhoqi drejt europianit Francë 2016-të, është në qendër të vëmendjes së mediave dhe opinionit sportiv në vendlindjen e tij, Itali.

Vetë Federata Italiane e Futbollit uroi për kualifikimin historik të Shqipërisë përmes një postimi në rrjetet sociale, e po përmes këtyre kanaleve të komunikimit, trajneri Marcelo Lippi, ai që shpalli Italinë kampione bote në botërorin e Gjermanisë në 2006 uronte De Biasin.

“De Biasi bëri një punë të jashtëzakonshme, që shumëkush e cilësonte si të pamundur. Tregoi që trajnerët italianë kanë diçka më shumë në krahasim me të tjerët”, shkruante Lippi.

Por si erdhi De Biasi në krye të pankinës kuqezi? Vetë tekniku i përgjigjet kësaj dhe të tjera pyetjeve në një intervistë për gazetën e njohur sportive italiane “La Gazzetta Dello Sport”.

Intervista

Festojnë në Vasto, Karpi, Kozenca, Ferrara, Modena, Breshia , Torino e madje edhe në Spanjë…

De Biasi: Ndjej shumë dashuri që më rrethon dhe jam i lumtur që lashë gjurmët e mia në këtë kualifikim historik. I vetmi peng në karrierën time mbetet Udine, ku nuk kisha mundësi të punoja. Ishte një realitet i shkëlqyer për mua, por nuk munda të tregoj dot se çfarë jam në gjendje të bëj. Nuk kisha kohë!.

Si lindi ideja për të drejtuar Shqipërinë?

De Biasi: Përmes një prokuratori shqiptar që jeton në Itali dhe të mendosh që as që dëshiroja të takoja drejtuesit e federatës shqiptare. Sapo e kisha mbyllur keq me Udinezen dhe dëshirojë një lloj hakmarrjeje në Serinë A. Pastaj kuptova që për të imponuar idetë e tua në futboll duhet të jesh vetë në qendër të një projekti dhe shpesh në Itali trajneri nuk është në qendër. Kështu nisi aventura ime në Tiranë.

Ju përsërisni shpesh “jam shqiptar…”

De Biasi: E vërtetë dhe jo vetëm e vetëm se kam pasaportën shqiptare. Është një flamur, një popull që shkon përtej kufijve të Shqipërisë sepse shqiptarët janë kudo me entuziazmin dhe dashurinë e tyre për atdheun.

Në kohërat e “specialëve”, Gianni De Biasi ndoshta bën pjesë në kategorinë e “normalëve”, apo jo?

De Biasi: Në fakt, përpiqem të punoj me lojtarët e mi jashtë vëmendjes së madhe. Kërkoj besimin dhe angazhimin e tyre për të dhënë maksimumin në fushë dhe dua të më përgjigjen jo vetëm teknikisht.

Çfarë duhet të presim nga Shqipëria juaj në Francë?

De Biasi: Kualifikimi tregoi se ëndrrat mund të realizohen dhe nuk janë thjeshtë objektiva. Jemi rritur shumë si skuadër, megjithatë në disa nivele nuk do të jetë e lehtë për të vazhduar endrrën, por ne do ta provojmë.

Ndonjë stadium do të mbajë emrin tuaj, apo preferoni një shesh?

De Biasi: T’i lëmë shakatë. Megjithatë, na njoftuan se impianti i ri i Tiranës, kur të realizohet do të ketë një pllakë me emrat tanë për të kujtuar këtë arritje të skuadrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA