Basha: Përveç taksës së tokës, në fshat nuk do të paguhet taksë tjetër

13/10/2015 14:40

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sipas Kushtetutës, janë në më pak se dy vjet, por Lulzim Basha ka nisur që tani një tur kombëtar, të quajtur “Fjalën e kanë qytetarët”.

Me fermerët në Vranisht të Devollit, kreu i opozitës dëgjoi prej tyre shqetësimin për mosshitjen e prodhimeve dhe për dëmin financiar që po u shkaktohet nga rritja e kostove, nëpërmjet rritjes së çmimit të naftës dhe energjisë elektrike. Sipas zotit Basha, opozita ka në programin e saj rivendosjen e taksës së sheshtë, uljen e çmimit të energjisë, uljen e çmimit të naftës me 240 lekë për litër, si dhe lehtësim maksimal nga taksat për fermerët.
   
“Vendosja e taksës së sheshtë, qëllimin kryesor ka të rrisë tregun. Këtu në fshat, përveç taksës së tokës, e cila duhet të mos kalojë kurrsesi nivelin e 3500 lekëve të vjetra, asnjë taksë tjetër nuk duhet t’i merret fshatarit. Përkundrazi, duhet t’i sigurohet përmes masave ndihmuese për naftën dhe imputet e tjera që djersa e tij të mos derdhet në lumë, por të kthehet në bereqet për fshatin, për ju vetë dhe për konsumatorin në qytet përmes çmimeve më të ulura”, deklaroi kreu i opozitës.

Në Vranisht, fermerët folën edhe për një dukuri që dëmton rëndë prodhimin vendas, kontrabandën që nxit konkurrencën e pandershme, përsa kohë ushqimet që vijnë nga importi nuk paguajnë doganë dhe shiten më lirë në treg, duke detyruar fermerët të japin prodhimin e tyre ose nën kosto, ose me fitim minimal.

Sipas fermerëve, mbështetja financiare nga qeveria është ulur ndjeshëm dhe në këtë pikë ata morën prej kreut të opozitës premtimin se bujqësia do të jetë një nga shtyllat kryesore të programit të Partisë Demokratike, si hap vendimtar për rritjen e ekonomisë.
 
“Rrugët e zgjidhjes kalojnë përmes ndihmës financiare drejt sektorit bujqësor. 12 milionë në vitin më të keq ka qenë ndihma financiare në qeverinë e mëparshme, 6 milionë është këtë vit. Pa derdhur minimalisht tre herë më shumë në vit, se ç’kemi dhënë ne në vitin më të mirë, bujqësia nuk ka për të parë ditë të bardhë. Prandaj, kur themi bujqësia është prioritet, prioriteti matet me para’ dhe jo me llafe, se llafet i merr era dhe mollët i ha miu”, shtoi Basha.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta