Policia e Tiranës arrestoi shtetasin italian, Stefano Bottura, së bashku me një shtetas shqiptar dhe një zviceran.
43-vjeçari nga Italia jetonte në Shqipëri, ndërsa ishte dënuar më parë në vendlindje për krime kompjuterike me 8 vite burg.
Ndërkohë, sipas Prokurorisë, në Shqipëri kishte ndërtuar një skemë mashtrimi. Një bankë shqiptare kishte identifikuar një rast mashtrimi kompjuterik, i cili ka krijuar një dëm të konsiderueshëm financiar në vetë atë bankë.
Dyqani me emërtimin “Evolveo”, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit si “HRS Group”, në datat 3 dhe 6 tetor ka kryer trasaksione në vlerën e 73,6 milionë lekëve. Këto transaksione janë kryer në aparatin “POS” të po kësaj banke dhe me 6 karta të ndryshme, të cilat janë lëshuar nga banka të ndryshme, në shtete të ndryshme.
Pasi ka kryer transaksionet, nëpërmjet një opsioni në “POS”, i cili quhet “Refund Option”, ai ka kthyer në të njëjtat karta shuma më të mëdha, sesa ato që ai ka procesuar në blerje fillimisht. Totali i transaksioneve të kryera me opsionin “Refund” është 91,7 milionë lekë.
Shuma, e cila i merret bankës shqipare është 18,155,000 lekë. Ky lloj opsioni, pavarësisht se debiton llogarinë e biznesit të tij, i cili është lidhur me “POS”, fondet i ka transferuar në llogaritë e kartave, pra ato mund të merren me kartë, mund të transferohen nga llogaria e klientit, ose të tërhiqen fizikisht.
Aktualisht, banka ka bllokuar që më datë 6 tetor llogaritë e klientit “HRS Group”, duke çaktivizuar aparatin “POS”. Nëpërmjet postës elektronike, banka i ka kërkuar biznesit që të dërgonte informacion lidhur me këto veprime, si dhe dokumentacionin përkatës në lidhje më transaksionet.
Përgjigjja e biznesit “HRS Group” nga posta e tyre elektronike ka qenë në anglisht dhe e pakuptueshme nga punonjësit e bankës. Gjatë vajtjes në ambientet e biznesit, punonjësit e bankës kanë konstatuar se ai ishte i mbyllur.
Shtetasi Stefano Bottura është përfaqësuesi ligjor i “HRS Group” dhe dyshohet se është personi përgjegjës për kryerjen e këtyre transaksioneve të paligjshme. Për këtë arsye u urdhërua ndalimi i menjëhershëm i tij.
Top Channel