Ristani viziton zonat e përmbytura në Fier dhe Vlorë

12/10/2015 18:15

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani u takua këtë të hënë me banorë të zonave të përmbytura në Fier dhe Vlorë, ku pa nga afër gjendjen e tyre dhe dëgjoi kërkesat e qytetarëve.

Në Fier, Ristani dhe kreu i degës së PD të këtij qyteti, u ndalën në lagjen “1 Maji” dhe “Sheç i Madh”, ku dëmet e përmbytjeve janë të pamatshme për qindra banorë e biznese të vogla, ku uji ka mbërritur në disa raste deri në katin e dytë.

Qytetarët e këtyre zonave ankohen për neglizhencën e autoriteteve. Ata thanë se ende nuk janë vizituar nga asnjë përfaqësues i bashkisë apo qeverisë.

Në Vlorë, Ristani u takua me banorë të lagjeve “24 maji” dhe të zonës pranë Kishës Ortodokse, që po vuajnë pasojat dramatike të përmbytjeve. Në njoftimin e shpërndarë nga Partia Demokratike thuhet se qytetarët u shprehën se ka një mungesë totale të vëmendjes së autoriteteve.

Në takimet me qytetarët, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ristani kujtoi deklarimet e Ramës i cili është shprehur se ka investuar në Vlorë aq sa nuk janë investuar në 20 vite, mirëpo realiteti e nxjerr në shesh këtë mashtrim të rëndë.

Si në takimet me banorët e Fierit ashtu edhe me banorët e Vlorës, z.Ristani u angazhua që shqetësimet e kërkesat e tyre do të marrim vëmendjen e duhur me anë të zërit të opozitës përmes përfaqësuesve të saj në këshillat Bashkiake e në Parlament.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA