Kosovë, policia arreston deputetët Albin Kurti e Glauk Konjufca. VV fton për reagim qytetar

12/10/2015 21:30

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se Policia e Kosovës të hënën në mbrëmje ka arrestuar deputetët Albin Kurti e Glauk Konjufca, si dhe 2 aktivistë të këtij subjekti.

“Në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, policia ka ndaluar deputetët Albin Kurti dhe Glauk Konjufca së bashku me dy aktivistë të tjerë të Lëvizjes që ishin duke u kthyer nga aktivitetet që kishin në Shkup. Në shpërputhje të plotë me ligjin, pa asnjë dokument apo urdhërarrest, policia do që t’i arrestojë ata. Rreth 10 policë po i mbajnë të ndalur deputetët dhe dy aktivistët duke tentuar disaherë që t’i arrestojnë ata”, u tha në njoftimin e parë të VV-së.

Ndërkohë, vetëm disa minuta më vonë, VV ka njoftuar se Kurti e Konjufca janë arrestuar, duke ftuar edhe aktivistët që të dalin pranë stacionit policor ku po mbahen deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Policia ka arrestuar Albin Kurtin. Tani po e dërgojnë tek stacioni qendra në Prishtinë (ish 92-shi, rruga “Luan Haradinaj”). Ftojmë të gjithë aktivistët, mbështetësit dhe qytetarët që të grumbullohemi para stacionit të Policisë. Shteti policor nuk mund të kalojë. Reagimi qytetar është i pashmangshëm!”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Gjithashtu, policia ka konfirmuar për Top Channel se sot (e hënë) në orët e mbrëmjes, në hyrje të Prishtinës, në bazë të urdhëresës së dhënë nga prokurori kompetent, njësitet policore kanë ndaluar Albin Kurtin dhe të njëjtin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim. “Të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent”, tha për Top Channel, Baki Krelani, zyrtar për informim.

Vetëvendosje pretendon se qeveria, përmes dhunës policore, dëshiron që të mbrojë “Zajednicën”, duke paralajmëruar se veprime të tilla do të mund të tensionojnë situatën në Kosovë.

“Këto veprime të papranueshme do ta tensionojnë situatën, dhe përgjegjësinë për këtë e mbanë pushteti. Shteti policor dhe masat e dhunshme janë të patolerueshme dhe do të shpiejnë në krizë edhe më të madhe në vend”, përfundon njoftimi i VV-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA