Kosovë, ambasadori gjerman: Opozita, përgjegjëse për krizën në Kuvend

12/10/2015 13:40

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i Kancelares gjermane, Angela Merkel, ambasadori Ernst Reichel i konsideron deputetët e opozitës kosovare fajtorë për krizën e shkaktuar në Kuvend.

Sipas një komunikate për shtyp të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, këto deklarata ambasadori gjerman i ka bërë gjatë takimit me kryetarin Kadri Veseli. Kjo komunikatë citon ambasadorin të ketë thënë se, opozita duhet t’i respektojë rregullat e demokracisë parlamentare, ku pakica nuk mundet që me veprime të dhunshme t’ia imponojë vullnetin shumicës.

Vetë Reichel nuk ka pranuar që të flasë për mediat pas takimit, por sipas komunikatës për shtyp, në takimin me Veselin diplomati gjerman është interesuar në detaje për zhvillimet në seancat e fundit parlamentare, si dhe për veprimet e deputetëve opozitarë.

Nga ana e tij, kryetari Veseli theksoi se është duke bërë përpjekje, që në Kuvendin e Kosovës të ruhet fryma e demokracisë parlamentare. Sipas komunikatës, Veseli ka thënë se Kuvendi nuk mund të bllokohet dhe se do të vazhdojë punën me një paketë projektligjesh shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Në takimin mes Veselit dhe diplomatit gjerman u bisedua edhe për proceset e integrimit europian të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik.

Ambasadori Reichel ka thënë se Kosova është shumë afër përmbylljes së procesit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe shumë pranë liberalizimit të vizave.

Pas takimit me kryeparlamentarin kosovar, i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor është pritur edhe nga Presidentja Atifete Jahjaga, me të cilën kanë diskutuar për gjendjen politike në vend dhe axhendën europiane të Kosovës.

Sipas komunikatës për mediat, në këtë takim Jahjaga e ka njoftuar diplomatin gjerman me qëndrimin e saj rreth zhvillimeve të fundit në Kuvend, duke e quajtur dhunën e ushtruar nga disa deputetë të opozitës si të papranueshme dhe si sjellje, që bie ndesh me normat e një demokracie parlamentare.

Ajo theksoi se ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të kontribuojnë në çtensionimin e gjendjes në Kuvend dhe në respektimin e procesit demokratik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA