Në një përpjekje të përbashkët, organizata të ndryshme joqeveritare greke, duke përdorur më shumë se 1.5 ton perime, të cilat do të hidheshin pasi nuk pranohen në treg për arsye të formës së jashtme të shëmtuar, kanë gatuar vakte falas për mijëra qytetarë të Athinës.
Nisma në fjalë është marrë në kuadrin e nismës globale “Ushqimi 5000”, për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me mijëra ton perime dhe fruta të freskëta, të cilat hidhen për shkak të pamjes së jashtme. Kjo sasi vlerësohet se përbën gati një të tretën e prodhimit bujqësor, që shkon dëm jo vetëm nga supermarketet e mëdha dhe tregjet, por edhe nga vetë konsumatorët.
Georgios Kaminis, kryebashkiaku i Athinës deklaroi se “ka kaq shumë ushqime që hidhen, ndërsa ka kaq shumë njerëz që kanë nevojë për to, sidomos në këto kohë kur kemi edhe problemin e refugjatëve, këtu në Athinë”.
Vetëm në Greqi, çdo shtëpi vlerësohet se hedh gati 100 kilogramë perime dhe fruta për person në vit, që mund të përdoreshin për gatim. Sipas organizatorëve, me këto sasi të mëdha ushqimesh që përfundojnë në plehra, do të mund të ndihmoheshin mijëra familje në nevojë në Greqinë e gjunjëzuar nga kriza shumëvjeçare, kur vendi ka humbur një të katërtën e prodhimit të përgjithshëm në 7 vitet e fundit dhe recesioni i pandalshëm i ekonomisë ka shkaktuar më shumë varfëri.
“Kjo është një ndihmë e madhe, sepse pensionet tona janë ulur. Nuk kemi parà të mjaftueshme dhe në banka marrim pak parà, për shkak se vazhdon kontrolli i kapitaleve”, thotë një pensioniste.
Përballimi i shpërdorimit të sasive të konsiderueshme të frutave dhe perimeve të këtij lloji është kthyer tashmë në prioritet për Kombet e Bashkuara, të cilat kanë marrë një nismë, që deri në vitin 2030 të reduktojnë këtë fenomen deri në masën 50%.
Top Channel