Kosova i afrohet anëtarësimit në organizatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara, UNESCO. Të hënën, shteti më i ri që pretendon anëtarësimin është përfshirë me konsensus në axhendë, pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për ta ndaluar ose shtyrë këtë fazë.
Autoritetet më të larta qeveritare, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi e vlerësuan këtë si një fitore të vogël procedurale, por të rëndësishme sepse tani fokusi mbetet tek votimi i javës së ardhshme.
Këshilltari i ministrit të Jashtëm, Ardian Arifi bëri të ditur se Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do ta trajtojë çështjen e Kosovës më 21 tetor. Kjo do të thotë se javën e ardhshme mund të kuptohet nëse Bordi Ekzekutiv do t’i rekomandojë apo jo Asamblesë së Përgjithshme për ta votuar përfundimisht anëtarësimin e Kosovës.
Por, cilat janë gjasat që Kosova ta kalojë fillimisht fazën e parë?
Bazuar në numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën, e të cilat gjithashtu janë anëtare të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, kjo fazë mund të konsiderohet e mbyllur me sukses.
Kjo pasi Bordi Ekzekutiv që do të votojë javën e ardhshme numëron 58 anëtarë, Kosovës i duhen 29 vota, ndërsa numri i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e që janë anëtare të bordit është 32.
Këshilltari politik Ardian Arifi sqaroi se edhe ato shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë kanë qëndrim neutral ndaj kësaj çështjeje. Në këtë rast, ai përmendi Spanjën e cila këtë të hënë ka deklaruar qëndrimin e saj se nuk e kundërshton anëtarësimin dhe se kjo nuk paragjykon qëndrimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës.
Gjithçka do të marrë fund në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme ku anëtarësimi kërkon 2/3 e votave të përgjithshme.
Top Channel