Për herë të parë për këtë vit, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur importin e energjisë elektrike, diktuar nga niveli i ulët i ujit në Liqenin e Fierzës.
Të dhënat e fundit nga KESH tregojnë se Fierza ka rënë në kuotën e 272 metrave nga 296 m që është maksimumi i lejuar.
Drejtori i Divizionit të Gjenerimit, Ilir Belba, thotë se blerja e energjisë elektrike po përballohet me fondet e Koorporatës, pa prekur garancinë sovrane të Qeverisë.
Referuar programit ekonomik të KESH, deri në fund të vitit Koorporata ka në dispozicion 20 mln euro për të mbuluar nevojat e vendit për blerje të energjisë, ndërkohë që vetëm për tetorin janë blerë 7.2 mln euro energji elektrike.
Të dhënat nga Kaskada e Drinit tregojnë se dy hidrocentralet e tjera, Komani dhe Vau i Dejës nuk kanë patur rënie, por sërish kapaciteti i tyre varet nga Fierza që ka grumbullimin kryesor të ujit.
Megjithatë, me nisjen e reshjeve të shiut, niveli i ujit në Fierzë pritet të rritet, çka do të reduktojë blerjen e energjisë.
Top Channel