Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në Parlament për çështjen CEZ, për herë të parë preku edhe një çështje të përfolur prej disa kohësh, marrëdhëniet e tij me Ilir Metën.
Rama tha se as ai dhe as Ilir Meta, nuk kanë bërë pakt për të mbrojtur njëri-tjetrin nga drejtësia. Kushdo që ka punë me organet e hetimit, do të përgjigjet vetë për para tyre tha shefi i qeverisë shqiptare.
“Dhe sa për elementin e diversionit që ka kjo fushata juaj më lejoni tua them troç, qartë, ju dhe të gjithëve. Unë nuk kam as detyrë dhe as nevojë të mbrojë Ilir Metën. Ilir Meta nuk ka as detyrë dhe as nevojë të më mbrojë mua. Ne kemi një pakt për të qeverisur Shqipërinë, nuk kemi një pakt për të mbrojtur njëri-tjetrin nga drejtësia. Dhe të jeni të sigurtë që në themelin e këtij pakti qëndron vetëm një gjë, vetëdija se i takon barra kësaj shumice të nxjerrë Shqipërinë nga llumi ku e zhytët ju. Dhe çështjet e drejtësisë, janë çështje të drejtësisë. Qoftë unë, qoftë Ilir Meta, qoftë cilido tjetër në këtë sallë, nëse ka probleme me drejtësinë le të shkojë dhe ti gjejë vetë me drejtësinë. Këtu nuk ka streh nga drejtësia për askënd nga sa na takon”, deklaroi Rama.
Top Channel