Me 155 vota pro, nga gjithë deputetët e koalicionit qeveritar dhe 144 kundër, nga të gjithë ligjvënësit e partive të tjera në Parlament, Qeveria e re kryeministrit grek Alexis Tsipras që ka dalë pas zgjedhjeve të 20 shtatorit, ka fituar votëbesimin e Parlamentit.
Grupi i tij parlamentar, bashkë me deputetët e aleatëve të tij “Grekët e Pavarur”, do të testohen në javët e ardhshme, kur së pari do të duhet të votojnë brenda pak ditësh, një paketë prej 48 reformash të ashpra që kërkojnë kreditorët, midis tyre rritjen e taksave dhe shkurtimet e pensioneve, që Greqia duhet të miratojë për të marrë një pjesë nga kësti i parë i ndihmës dhe 25 mld euro për rikapitalizimin e bankave të saj.
“E dimë që kemi përballë turbullira dhe vendime të vështira, por unë jam absolutisht i sigurt se do të kemi sukses. Do të kalojmë shpejt pengesën e shqyrtimit të parë, do të përfundojmë çështjet e mëdha te rikapitalizimit të bankave, do të hapen negociatat për borxhin me vendime pozitive dhe do të ecim me hapa të matura për të ndryshuar vendin tonë”, tha Tsipras.
Gjatë tre ditëve që ka zgjatur procesi i shpalljes së programit të qeverisë dhe kanë folur 152 deputetë dhe 38 ministra e zëvendësministra, debati ka qenë i ashpër me udhëheqësit e partive opozitare.
“Ju jeni ata që i dhatë jetë makthit për një dalje të mundshme nga euro, me eksperimentet tuaja kriminale, duke i bërë shantazh Europës me lojërat teorike. E vërteta është se rreziqet që shtrihen para nesh u krijuan për shkak të qeverisjes suaj të parë dhe e vërteta për popullin grek është se po vjen një dimër shumë i ashpër, ndoshta më i ashpri që ka kaluar”, deklaroi Vangelis Meimarakis, lideri i Demokracisë së Re.
Kryeministri grek synon që shqyrtimi i parë i programit nga ekspertët e kreditorëve të Athinës të përfundojë sa më shpejt dhe qeveria e tij të fillojë bisedën me ta, për ristrukturimin e borxhit.
Nëse kjo do të arrihet vlerësohet se do jetë një arritje e madhe dhe një lehtësim për grekët pas shtatë vitesh të gjunjëzuar nga kriza ekonomike. Me interes të madh pritet gjithashtu në ditët e ardhshme edhe projektligji i qeverisë për lejet e kanaleve. televizive dhe radiofonike, për të cilin Tsipras dhe qeveria e tij janë bërë objekt kritikash nga mediat vendase, pasi i detyron ato për herë të parë pas dy dekadash, të paguajnë shuma të mëdha për funksionimin ligjor të tyre.
Top Channel