Maqedoni, mazhoranca tërheq projektligjin për ndalimin e “bombave”

08/10/2015 13:35

Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi ka tërhequr nga procedura parlamentare projektligjin për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara, që e dorëzoi në Kuvend ditën e martë.

Drafti i propozuar nga Xhaferi kishte mbështetje të plotë edhe nga partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE, por u tërhoq për shkak të reagimeve të shumta të opozitës maqedonase, që e cilësoi atë si tentativë për vendosjen e censurës së përgjithshme në vend nga ana e pushtetit.

Projektligji për ndalimin e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike u kundërshtua edhe nga gazetarët dhe përfaqësuesit e sektorit civil, të cilët u tubuan në një protestë para ndërtesës së Kuvendit në Shkup, për të shprehur revoltën e tyre.

“Me këtë ligj zyrtarizohet censura në Maqedoni dhe shkelet neni 16 i Kushtetutës, me të cilin censura është e ndaluar. Qytetarët duhet të jenë të lirë dhe të kenë qasje në informacione, kurse liria e shprehjes nuk mund të jenë rob i politikës”, tha Pavle Bogojevski, nga OJQ “AJDE”.

Në formën siç ishte hartuar nga mazhoranca, drafti kërkonte ndalimin e publikimit të çdo materiali nga skandali i përgjimeve, që posedon opozita maqedonase, dhe detyronte mediat që kishin publikuar bisedat e përgjuara në të kaluarën, që t’i mënjanojnë nga arkivat e tyre.

“’Bombat’ e opozitës duhet të publikohen, sepse ato janë dëshmi për atë çfarë ka ndodhur në 9 vitet e kaluara, si ka keqqeverisur ky pushtet dhe si ka keqpërdorur fuqinë e saj për ta rrënuar shtetin”, tha Biljana Bejkova, nga OJQ “AJDE”.

Ky projektligji u reflektua edhe në tavolinën e bisedimeve, që po zhvillohen mes 4 partive kryesore për zbatimin e marrëveshjes politike të 2 qershorit. Për shkak të ngecjeve që shkaktoi në negociata u shkelën afatet e marrëveshjes dhe palët ende nuk kanë arritur kompromis për Kodin e ri Zgjedhor, çështje kjo për të cilën kishin rënë dakord të gjejnë zgjidhje deri më 6 tetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA