PD, tensione në mbledhjen e grupit; Ruli përplaset me Bashën për krerët në rrethe

07/10/2015 19:50

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar nga disa diskutime të tensionuara, kur deputeti Genc Ruli i ka kërkuar kryetarit Lulzim Basha të ndalojë denigrimin që disa kryetarë partish në rrethe po u bëjnë disa ish-ministrave dhe figurave drejtuese të Partisë Demokratike.

Genc Ruli ka deklaruar se, është e papranueshme që kryetari i Vlorës të shprehet se ai nuk largohet për rezultate të dobëta, kur pijanecët që drejtojnë partinë nuk mbajnë përgjegjësi.

Edhe kryetari i Lushnjes dy ditë më parë foli me fjalor fyes ndaj ish-ministrave, ndërsa ai Gjirokastrës akuzoi disa ish-ministra se kishin paguar para që garën e Tiranës ta fitonte Erion Veliaj.

Genc Ruli i ka thënë kryetarit Basha se, këto denigrime duhet të ndalojnë dhe nëse një pjesë e njerëzve në parti konsiderohen të vjetër dhe pengesë, ai është “gati të japë dorëheqjen”.

Zoti Basha është përpjekur ta mbyllë debatin me fjalë që dekurajojnë sulmet ndaj deputetëve demokratë, por Arben Imami ka mbetur i pakënaqur kur listës së Genc Rulit i është shtuar edhe kryetari i Shkodrës, që ka sulmuar Jozefina Topallin para zgjedhjeve.

Më aktivë gjatë ndërhyrjeve kanë qenë nënkryetarët Spaho dhe Paloka, që kanë tentuar të perqendrojnë debatin brenda Parlamentit dhe jo partisë, por mosreagimi i duhur nga ana e zotit Basha e ka nervozuar Genc Rulin në atë masë sa ai ka lënë mbledhjen e grupit duke thënë se, “me këto qëndrime nuk nxirren përgjegjës. Në vend që të zgjidhen problemet, ato shmangen”.

Nënkryetari Paloka u ka thënë deputetëve se debatet e brendshme në parti vetëm sa ndihmojnë kundërshtarin, por ka hasur në kundërshtimin e fortë të Majlinda Bregut, e cila e ka quajtur të pavend një deklaratë të tillë, “që ushqen thashethemnajën për aleanca të dyshimta mes disa deputetëve të opozitës dhe qeverisë”.

Tensionin e ka ulur ndërhyrja e ish-kryetarit Berisha. Përveçse ka kërkuar sqarim të menjëhershëm për deklaratën e kryetarit të Vlorës, Berisha ka deklaruar se në Partinë Demorkatike nuk ka vend për gjueti shtrigash dhe se kjo është partia ku secili do të thotë hapur në çdo kohë mendimin e vet. Me qëndrimin e zotit Berisha është bashkuar edhe kryetari i partisë, Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA