PD: Tenderi i OSHEE-së, i përcaktuar nga Rama

07/10/2015 12:40

Demokratët deklaruan se ai që do të mbajë përgjegjësi për tenderin e ndërtimit të godinës së re të OSHEE-së, me një fitues të paracaktuar, është kreu i operatorit, Adrian Çela. 

Sipas Partisë Demokratike, tenderi nuk pati as shqyrtim ofertash dhe as garë të ndershme. Fituesi ishte ndërtuesi i vilës së Edi Ramës në Surrel, tha Gent Strazimiri, që përsëriti se ai ishte ofertuesi më i shtrenjtë, me një diferencë jo të vogël, por plot 500 mijë euro më shumë se ofertuesi i dytë.

“I gjithë ky abuzim është kryer me paramendim, sepse kemi një fitues të paracaktuar. Kur Partia Demokratike denoncoi me 11 shtator tenderin, kasneci i Ramës reagoi dhe shprehu habi të madhe, se “nga e di opozita se kush i merr paratë pa u shpallur fituesi”. Po ja që fituesi u shpall dhe u shpall ai që ishte paracaktuar, miku, ortaku, ndërtuesi i Ramës. Me ofertën më të lartë. 500 mijë euro më shumë se ofertuesi i dytë. Po si mund të ndodhë kjo? Kjo ndodh sepse nuk ka më garë dhe shqyrtim ofertash. Tenderat i drejton Edi Rama, i menaxhon Edi Rama, i ndan Edi Rama me miqtë e tij. Korrupsion skandaloz, zhvatje e mynxyrshme e parave të shqiptarëve, para që kryehajduti i OSHEE i mblodhi me dhunë, me burg, me ndëshkime kolektive, me marrje jete. Partia Demokratike i siguron qytetarët e vendit se kryehajduti i OSHEE, Adrian Çela dhe banda e tij që tallet me paratë e gjakut të shqiptarëve, do të mbajë përgjegjësi deri më një. Dita e llogarive para ligjit do të vijë shpejt”, u shpreh Strazimiri.

Top Channel