Nishani në Bullgari: T’u japim më shumë mundësi bizneseve

07/10/2015 17:00

Në Forumin e Përbashkët të Biznesit Shqipëri-Bullgari, Presidenti Bujar Nishani kërkoi që t’i jepet më shumë mundësi bizneseve mes dy vendeve për të përshkallëzuar kontaktet dhe gjeneruar më shumë bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.

Nishani ndodhet në Sofje në kuadër të një vizite zyrtare, i ftuar nga homologu bullgar, Rosen Plevnieliev.

Gjatë ditës së martë, kreu i shtetit u takua me autoritetet më të larta bullgare; me Presidentin Plevneliev, Kryetaren e Parlamentit Tsacheva dhe Kryeministrin Borissov, ku forcimi i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar zuri një vend shumë të rëndësishëm në bisedimet e kryera.

Presidenti vuri në dukje se këto takime konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe tradicionalisht miqësore e historike. “Vetëm një vit më parë ne kremtuam 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe sot pas 101 vjetësh konstatojmë me kënaqësi se mes nesh nuk ka probleme”, tha Nishani.

Megjithatë, Presidenti tha se duhet bërë më shumë për të shfrytëzuar maksimalisht të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

“Mendoj se ne si politikanë, Qeveritë e të dy vendeve, por edhe të gjitha institucionet përkatëse, duhet të bëjmë më shumë për të krijuar një ambient miqësor biznesi e t’ju japim ju dhe të gjithë përfaqësuesve të biznesit së të dy vendeve, por jo vetëm, garancitë dhe lehtësirat e nevojshme, si dhe të mbështesim aktivitetet tuaja përbashkëta”, theksoi Nishani.

Në mbyllje të fjalës së tij, duke siguruar për mbështetjen e fuqishme, Presidenti Nishani theksoi edhe njëherë se “është në interesin e përbashkët të dy vendeve tona, por edhe rajonit të Evropës Juglindore ku bëjmë pjesë, nxitja e mëtejshme e bashkëpunimit në frymën e miqësisë dhe interesit të ndërsjellë, ku bashkëpunimi ekonomiko-tregtar mbetet një prej komponentëve kryesore”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA