Fillimi i vitit të ardhshëm do të shënojë edhe startin e moratoriumit mbi pyjet, i cili do të zgjasë deri në vitin 2026. Kreu i ministrisë së Mjedisit Lefter Koka tha se në gjithë vendin llogariten 300 mijë familje që përdorin lëndë drusore për ngrohje. Këta qytetarë do të mund ta blejnë këtë produkt vetëm përmes pushteti vendor, i cili do të jetë përgjegjës për administrimin e pyjeve.
“Në rastin në fjalë do të kërkohet që të jetë bashkia ajo që do të evidentojë ekzaktësisht cilat janë zonat që kanë nevojë për rigjenerim. Pikërisht këtë lëndë drusore ta përdorë për furnizimin e këtyre banorëve, që në një rast po tjetrin do të jenë blerës të ligjshëm të kësaj lënde drusore, dhe me kosto shumë të ulët. Furnizojmë importin e lëndës drusore”, tha ministri Koka.
Kreu i mjedisit tha se do të stimulohet importi i lëndës drusore përmes uljes së taksave në mënyrë që qytetarët por edhe subjektet të plotësojnë nevojat e tyre. Nga ana tjetër janë me qindra subjekte minerare të cilat kanë shfrytëzuar pyjet, duke shkaktuar dëm ekonomik dhe mjedisor.
“Janë rreth 400 miniera apohidrocentrale që nuk kanë lidhur marrëveshje me ministrinë e Mjedisit, janë pajisur me leje shfrytëzimi vite më parë. Nga ana tjetër, nuk kanë shlyer detyrimin ligjor për të rimbjellë atë sipërfaqe që kanë dëmtuar. Unë besoj në vetvete duke mos i konsideruar këto thjesht shkelje, kompanitë që kemi kontaktuar janë dakord të vijnë e të rilidhin kontratë në ministrinë e Mjedisit dhe të aprovohet në Këshillin e Ministrave për të mbjellë sipërfaqet e dëmtuara”, tha Koka.
Pushteti vendor do të administrojë të gjithë sipërfaqet e pyjeve dhe do përcaktojë zonat ku mund të ndërhyhet për prerje.
Top Channel