Marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti të vogël

07/10/2015 00:00

Nga ADRI NURELLARI – Zhvillimet e fundit politike të Kosovës sikurse janë gjykata speciale, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe ujditë e nënshkruara në Beograd kanë vendosur në qendër të vëmendjes në Kosovë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.

Disa aktorë e faktorë të jetës publike të Kosovës kanë vënë në pikëpyetje strategjinë e politikës së jashtme të Kosovës, duke sugjeruar që të shpërfilleshin rekomandimet e “miqve ndërkombëtarë” e të ndiqej një kurs unilateral, që reflekton maksimalisht interesat e Kosovës. Disa syresh madje e quajnë politikën e jashtme të Kosovës politikë “nënshtrimi” apo “katundarizmi” dhe kanë arritur aty sa të flasin për forma imperializmi kur vjen fjala për aleatët ndërkombëtarë të Kosovës.

Disiplina e marrëdhënieve ndërkombëtare është goxha e konsoliduar dhe ka arsyetime dhe shpjegime të qarta e të arsyeshme për mënyrën se si vepron Kosova në politikën e jashtme. Si fillim duhet kuptuar që përmasat e shtetit të Kosovës (territori, demografia, ekonomia, ushtria, pozicioni i pafavorshëm etj.) diktojnë veprime më të përmbajtura dhe modeste në politikën e jashtme dhe ngjasojnë me aktivitetin ndërkombëtar të shteteve të vogla.

Studiuesit e hershëm të marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi janë fokusuar te Fuqitë e Mëdha dhe i kanë neglizhuar shtetet e vogla, duke konsideruar se objektivi kryesor i tyre ishte mbijetesa. Një ndër më të mëdhenjtë e fushës, Morgentau, në kryeveprën e tij të vitit 1948 mendonte se shtetet e vogla ia dedikojnë pavarësinë ekuilibrit të fuqisë mes shteteve të mëdha, mbrojtjes së dhënë prej një fuqie si dhe mungesës së interesit për Fuqitë e Mëdha.

Mirëpo, pas procesit të dekolonizimit dhe mbarimit të Luftës së Ftohtë numri i shteteve të vogla u shtua si kërpudhat pas shiut dhe, nëse shtetet themeluese të Lidhjes së Kombeve në vitin 1920 ishte 42, sot Organizata e Kombeve të Bashkuara ka 193 shtete. Kjo ka bërë që politika e jashtme e shteteve të vogla të marrë më shumë vëmendje të akademikëve, të cilët nxjerrin në pah se strategjitë e politikës së jashtme më të mira të mundshme për një shtet të vogël janë pikërisht ato që po ndjek Kosova, garantimi i sigurisë dhe interesave të veta nëpërmjet aleancave dhe multilateralizmit.

Historikisht, në epokën kur marrëdhëniet ndërkombëtare mbizotëroheshin nga fuqia relative e shteteve të mëdha dhe kërcënimi e garimi me të tjerët, dhe jo nga institucionet apo e drejta ndërkombëtare që e karakterizojnë sot, shtetet e vogla përpiqeshin ta siguronin mbijetesën duke hyrë në aleancë me një fuqi të madhe. Për të qenë më i sinqertë, kjo aleancë në shumicën e rasteve ishte një lloj nënshtrimi ndaj një fqinji më të madh e të fortë ose një marrëdhënie e ngushtë me një fuqi diku tjetër që ishte armike e këtij fqinji kërcënues. Po ashtu, shpesh është bërë fjalë për një aleancë me ish-sundimtarin, pra shtetin koloni, të të cilit kishin qenë dikur e prej të cilit kishin fituar pavarësinë jo shumë kohë më parë. Kuptohet që në këtë aleancë shteti i vogël detyrohet të bëjë diçka në këmbim për shtetin e madh që është një kosto e pashmangshme e aleancës. Madje, ka shtete liliputiane që janë aq të pafuqishme saqë për të mundësuar mbijetesën e tyre politike dhe ekonomike ia kanë dhënë një pjesë të sovranitetit një fqinji më të fortë. Lihtenshtajni është protektorat i Zvicrës, San Marino i Italisë, Monako i Francës, Andorra e Francës dhe Spanjës, Mikronezia, Palau dhe Ishujt Marshall janë të SHBA-së e kështu me radhë.

Mirëpo arena e politikës ndërkombëtare është ndërlikuar e sofistikuar shumë në dekadat e fundit dhe qëllimet dhe rrethanat për krijimin e aleancave janë nga më të ndryshmet si koniunktura interesash, lidhje historike, përkatësi ideologjike, përafërsi fetare apo etno-kulturore etj. Formimi i aleancave në vetvete është subjekt i shumë studimeve të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka një numër të konsiderueshëm teorish për qëllimin dhe rrethanat në të cilat krijohen aleancat. Kështu, Kenneth Waltz flet për ekuilibrimin e fuqisë dhe mandej Stephan Walt e çon më tej këtë teori duke folur për ekuilibrimin e kërcënimit. Pas Luftës së Ftohtë dolën teori si ajo e realizimit mësymës të Mearsheimer, nënbalancimit të Shweller të dilemës së aleancës të Snyder etj.

Nga ana tjetër, duhet thënë se ndryshe nga Kosova sot, ka pasur shtete që nuk kanë zgjedhur aleancën, por alternativa të tjera në arenën ndërkombëtare. Një ndër strategjitë kryesore për të siguruar mbijetesën e përdorur nga shtetet e vogla në fillim të shekulli të kaluar kaq qenë neutraliteti. Mirëpo kjo strategji nuk e ka të sigurt suksesin. Për disa vende si Suedia, Spanja, Turqia, Zvicra, Irlanda dhe Portugalia, kjo qe strategji e suksesshme, sepse i shpëtuan Luftës së Dytë Botërore dhe dolën prej saj edhe më të fuqishme mirëpo për disa shtete të tjera, si Danimarka, Belgjika dhe Norvegjia neutraliteti nuk i shpëtoi nga pushtimi dhe shkatërrimi i luftës. Shumica e shteteve të vogla e ka braktisur neutralitetin, pasi në kushte krize apo përplasjesh ndërkombëtare, neutraliteti ua dyfishon rrezikun, pasi të dyja palët kundërshtare mund të kenë oreks për të njëjtin shtet duke e shtuar cenueshmërinë e këtij vendi.

Një tjetër strategji e shteteve të vogla për të siguruar sovranitetin e tyre është vetëmjaftueshmëria e përdorur nga shtete si Zvicra, Singapori apo Suedia që kanë investuar shumë në mbrojtjen e vendit, duke ndërtuar ushtri popullore që mbahen të përgatitura në mënyrë konstante për të qenë të gatshme që të mobilizohen përballë çdo kanosje. Me anë të kësaj strategjie, këto vende besojnë se parandalojnë kërcënimet, duke besuar se cilësia e ushtrive të tyre (përgatitja, morali, stërvitja, pajisjet moderne) do të kompensojë epërsinë numerike të kërcënuesve potencialë. Zvicra e quan strategjinë e vetë “iriqi i armatosur” që, në rast rreziku, rrotullohet menjëherë, duke marrë formën e një sfere të mbështjellë me gjemba për t’u mbrojtur nga kërcënimet. Singapori e quan “karkalec deti i helmatisur” që, për të mbijetuar mes “peshqve të mëdhenj”, lë të kuptohet se do t’u ngecë helmi në fyt e do të kenë kosto të madhe nëse përpiqen ta gëlltisin.

Mirëpo problemi i synimit të vetëmjaftueshmërisë është kostoja e jashtëzakonshme ekonomike ose, siç quhet në zhargonin e politikave ekonomike “armë përkundrejt gjalpit”, që nxjerr në pah koston e jashtëzakonshme oportune të investimit të fondeve të mbarueshme publike në armatim e municion e jo në produkte me përdorim civil. Këtë sfidë e ilustron më së miri historia e Shqipërisë së shkretë gjatë periudhës së autarkisë prej mesit të viteve ‘70 deri në rënien e Murit të Berlinit, ku kostoja e ushtrisë dhe bunkerizimit bëri që në vitet ‘80 të shfaqej zija e bukës. Edhe Izraeli që qëndron në krye të listës së vendeve të vogla me kapacitete të mëdha vetëmjaftueshmërie sigurie do ta kishte pothuaj të pamundur ta mbante sistemin e mbrojtjes që ka, pa ndihmën bujare amerikane.

Prandaj për një vend të vogël e të dobët si Kosova, që e ka mbijetesën dhe sigurinë thelbësore, që ka ende rrugë për të bërë për të konsoliduar subjektivitetin ndërkombëtar dhe për t’u bërë plotësisht e pranueshme nga shtetet e tjera, aleanca me SHBA-në dhe vendet e NATO-s është prioritet i pashmangshëm. Të merremi vesh; kur flitet për “miqtë ndërkombëtarë” nuk ka dyshim që referenca bëhet pikërisht për këta të fundit. Çdo lloj pretendimi apo propozimi nga këto që po dëgjohen pafund sot se në rrethanat aktuale Kosova duhet të shpërfillë aleatët dhe se mund të ndjekë një strategji neutraliteti apo vetëmjaftueshmërie është një naivitet intelektual ose një papërgjegjshmëri politike. Nuk mund të ketë Kosova e vogël një mendje të madhe që të pretendojë të vendosë në pikëpyetje në rastin më të parë këtë aleancë. Të qenët në aleancë mandej nuk është vetëm privilegj, por edhe obligim, pra ka shumë përfitime siç ka edhe kosto, ndër të cilat janë edhe disa vendime të brendshme politike të Kosovës të ndërmarra në kohët e fundit, që mund të konsideroheshin si “pilula të hidhura” për të konsoliduar më tej aleancën.

Një tjetër element i përmendur dendur si kinse “evidencë” të katundarisë së politikës së jashtme kosovare është përdorimi i fjalës “miqtë ndërkombëtarë”. Në fakt, fjala miqësi është përdorur historikisht në mënyrë masive në marrëdhënie ndërkombëtare anekënd botës dhe të mendosh se po ndodh vetëm në Kosovë kjo gjë është provincializëm. Pavarësisht shprehjes së famshme të kryeministrit britanik Palmerston se, shtetet s’kanë miq, por interesa, fjala miq është përdorur dendur si term për traktate, si instrument i retorikës diplomatike e politike në deklarata e korrespondencë, si metaforë për të përshkruar fqinjësinë e mirë apo bashkëpunimin e ngushtë bilateral. Përmendja e miqësisë anglo-amerikane, franko-gjermane, sino-sovjetike e të tjera të ngjashme kanë që parulla klishe të stërpërdorura të shekullit të kaluar.

Përtej qasjes së ngurtë të teoricienëve realistë apo neorealistë të marrëdhënieve ndërkombëtare, që shtetin sovran e konsiderojnë si një “kuti të zezë” që funksionon si një aktor unitar, racional dhe egoist cilido qoftë organizimi i brendshëm politik, studiues të tjerë shprehin bindjen se politika e jashtme lidhet ngushtë me politikën e brendshme dhe se në marrëdhëniet ndërkombëtare shtetet mund të bashkëpunojnë dhe të synojnë vlera e norma përveçse fuqi. Kjo do të thotë që paaftësia e shtetit për të ndier dashuri nuk do të thotë që të mos ketë hapësirë për miqësi, solidaritet apo pëlqim social përkundrejt një populli tjetër, duke shkaktuar kështu njohjen e një obligimi etik të një shteti ndaj një tjetri.

Studiuesit bashkëkohorë të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e kanë konsideruar miqësinë thjesht si një eufemizëm që përdoret për të maskuar një partneritet interesash, por kanë filluar të merren seriozisht dhe e kanë inkorporuar në teoritë kryesore. Pararojë në këtë aspekt është konstruktivizmi me në krye njërin prej studiuesve kryesorë, Alexander Wendt, i cili e konsideron miqësinë si një prej kategorive të rendit anarkik në politikat ndërkombëtare. Po ashtu, teoria e Paqes Demokratike kur flet për shtete të ngjashme demokratike apo për një komunitet sigurie që përfshin shtete që kanë zhvilluar një identitet kolektiv dhe mirëbesim të ndërsjellë i referohet konceptit të miqësisë.

Prandaj të flitet për “miqtë ndërkombëtarë” as nuk është ndonjë manifestim endemik e ekskluziv i “katundit” Kosovë, as nuk është ndonjë novacion apo herezi dhe as nuk është ndonjë gjë e paarsyeshme dhe e naive. Përkundrazi, miqësia në marrëdhëniet ndërkombëtare të një epoke të karakterizuar nga bashkëpunimi është një realitet gjithnjë e më shumë i pranishëm krahasuar me epokën e një shekulli më parë që karakterizohej nga konflikti e armiqësia.

Kur vjen fjala për ndryshimin epokal duhet theksuar strategjia e dytë e rekomanduar nga studiuesit për të ndjekur prej një shteti të vogël në kushtet e sotshme, që është “multilateralizmi”. Në përzgjedhjen mes marrëdhënieve bilaterale dhe atyre multilaterale, shtetet e vogla kanë në mënyrë të arsyeshme një preferencë për marrëdhëniet multilaterale. Bashkëpunimet bilaterale janë të mbështetura kryesisht në interesa. Një shtet duhet t’i ofrojë diçka palës tjetër, në mënyrë që të sigurojë një interes të vetin, mirëpo dallimi në përmasa të shtetit është shumë më shqetësuese për një shtet të vogël. Kështu një shtet i vogël e ka të vështirë ta imponojë një ujdi dypalëshe nëse pala tjetër është shumë më e fuqishme dhe është e vështirë që të detyrohet që ta zbatojë ujdinë në fjalë. Angazhimi shumëpalësh si anëtar organizatash apo palë traktatesh është tjetër gjë, sepse mundëson shumë më tepër hapësirë manovrimi dhe peshë për një shtet të vogël.

Shumica e organizatave ndërkombëtare përpiqen që të arrijnë vendimet në mënyrë konsensuale e mundësisht njëzëri. Mirëpo edhe kur nevojitet vota, procedurat e vendimmarrjes në organizata multilaterale i japin peshë të jashtëzakonshme shteteve të vogla sepse në shumicën e tyre kanë votë të barabartë me fuqitë e mëdha. Një pjesë e mirë e drejtuesve të organizatave ndërshtetërore kanë drejtues dhe funksionarë diplomatë, që vijnë nga shtetet e vogla e shumë prej nismave multilaterale ndërmerren nga mikroshtete. Kështu, për shembull, konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit që sot është thelbësore për aktivitetet detare u ndërmor nga Malta, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare Penale u propozua fillimisht nga Trinidad dhe Tobago. Po ashtu, e drejta ndërkombëtare apo traktatet shumëpalëshe janë të barasvlefshme për të gjitha shtetet palë dhe ndryshe nga marrëveshjet bilaterale, ato multilaterale kanë si garanci një komunitet shumë më të madh shtetesh dhe janë më vështirë për t’u shkelur. Prandaj vendosja e multilateralizmit si prioritet nga ana e Kosovës është një veprim më se i arsyeshëm e i dobishëm që bën një shtet i vogël për të ndjekur interesat e veta. Sërish në këtë rast propozimi i shpërfilljes së nismave multilaterale dhe sugjerimi i ndërmarrjes së veprimeve në mënyrë kokëforte unilaterale dëshmon për një papjekuri dhe mosnjohje të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Parë në këtë kontekst, politika e jashtme e Kosovës është më se racionale dhe e logjikshme, duke vendosur në plan të parë aleancën me SHBA-në dhe synimin e anëtarësimit në NATO, si dhe në të tjera nisma multilaterale. Edhe nismat e tjera të politikës së jashtme të Kosovës shkojnë në të njëjtën frekuencë. Kosova ka fituar lirinë dhe pavarësinë, falë fatit të mirë që në epokën tonë, marrëdhëniet ndërkombëtare gjithnjë e më shumë po karakterizohen nga e drejta ndërkombëtare, multilateralizmi, normat etike, bashkëpunimi dhe dialogu. Prandaj është më se arsyeshme që në politikën e saj të jashtme, Kosova është rreshtuar me ato vende që ndjekin këto qasje. Po ashtu si një vend i vetëdijshëm për përmasat e veta dhe se mund “t’i shtrijë këmbët vetëm sa jorgani” nuk merret me çështje globale, por e ka përqendruar pjesën më të madhe të energjive në marrëdhëniet rajonale qoftë në rrafshin bilateral dhe qoftë në atë multilateral. Energjia e harxhuar prej dialogut të Kosovës me Beogradin me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian është gjithashtu më se e logjikshme të ndodhë pasi synon të mbyllë të vetmen çështje të kontestuar ndërkombëtare. Për më tepër, Kosova (më saktë qeveria e saj) është e vetëdijshme për rëndësinë që ka imazhi në arenën ndërkombëtare dhe përpiqet që ta përmirësojë nëpërmjet një angazhimi intensiv në diplomacinë publike dhe në atë dixhitale. Dialogu me Serbinë ka kontribuar që ta ndryshojë imazhin e Kosovës nga një çerdhe konflikti në një model ndërkombëtar dialogu konstruktiv. Vlejnë për t’u përmendur në këtë aspekt iniciativa me impakt të madh ndërkombëtar si dialogu ndërfetar apo angazhimi aktiv në bllokun kundërterrorizmit që tregojnë se Kosova nuk është më barrë, por aset për rendin ndërkombëtar.

Analiza e politikës së jashtme të Kosovës mund të zgjasë shumë më tepër, por ajo që vlen të kuptohet është se në politikën e jashtme potenciali i Kosovës është të bëjë më mirë atë që është duke bërë tashmë, por jo më ndryshe, sepse orientimi aktual i politikës së jashtme është më i duhuri dhe më i dobishmi për interesat e vendit. Nëse ka një shqetësim serioz që duhet të shprehet për politikën e jashtme të Kosovës është përzierja e axhendës së politikës së brendshme me atë të jashtme. Pra, interesat partiake të përpjekjeve të garës së brendshme për pushtet nuk duhet të vënë në rrezik interesat e shtetit në arenën ndërkombëtare, sikurse duket se po ndodh në këtë periudhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA