Policia greke ka shkatërruar një rrjet ndërkombëtar që lehtësonte në mënyrë të paligjshme hyrjen e refugjatëve dhe emigrantëve përmes Greqisë drejt vendeve të BE-së.

Departamenti Kundër Krimit të Organizuar ka arrestuar 12 persona, prej të cilëve 9 shtetas nga Pakistani, një nga Egjipti, një nga Iraku dhe një grua nga Siria.

Gjatë operacionit të policisë në disa apartamente të Athinës, të kthyer në laboratorë me aparatura të teknologjisë së fundit, janë konfiskuar qindra karta të rreme identiteti, pasaporta dhe dokumente të tjera të falsifikuara.

Policia ka gjetur edhe një listë me të paktën 30 të dyshuar të tjerë dhe bashkangjitur një tjetër me bashkëpunëtorët e tyre në Turqi.

Ky grup trafikantësh u siguronte dokumente të rreme të regjistrimit si azilantë refugjatëve që vinin në ishullin Kos nga Turiqa, kundrejt pagesës prej 3.000 eurosh për person.

Trafikantët ishin të ndarë në gjashtë njësi prej majit të këtij viti, duke ndihmuar emigrantët të udhëtonin nga Turqia nëpërmjet ishullit Kos, drejt Maqedonisë dhe Italisë me avion, autobusë e trenë.

Pjesëtarët e rrjetit ose falsifikonin dokumentat e udhëtimit duke zëvendësuar fotografitë, ose sajonin pasaporta false të vendeve të treta si Pakistani dhe Siria. Pajisjet e përdorura ishin të  teknologjisë se fundit dhe dokumentat e falsifikuara kishin një cilësi të lartë.

Siç dihet, ishulli Kos është një prej pikave më të afërta me brigjet turke dhe ka shërbyer gjatë këtij viti si portë hyrëse për qindra mijëra refugjatë nga Siria, Afganistani dhe Iraku përmes detit Egje, në një udhëtim të shkurtër nga Turqia, por të rrezikshëm për jetën dhe dhjetëra prej tyre kanë gjetur vdekjen.

Sipas Agjencisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, vetëm këtë vit në Greqi kanë mbërritur më shumë se 400.000 emigrantë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA