Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i ka paraqitur një notë proteste ambasadorit të Shqipërisë në Beograd, në lidhje me incidentin e ndodhur ndaj kombëtares serbe rrugës nga Rinasi për në Tiranë.
Siç thuhet në një njoftim, të cilin e citon agjencia serbe e lajmeve “B92”, Ministria e Jashtme ka thirrur urgjentisht ambasadorin Ilir Boçka.
“Përkundër faktit se është një event me rrezik të lartë, incidenti dëshmon për neglizhencë serioze të shërbimeve kompetente të Shqipërisë në organizimin e kësaj ndeshjeje futbolli”, thuhet në deklaratë.
Republika e Serbisë, vijon dokumenti, pret dhe kërkon që ekipit serb të futbollit t’i garantohet plotësisht siguria gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe që ndeshja të luhet e qetë.
“Gjithashtu presim që autorët e këtij incidenti të zbulohen menjëherë dhe të dënohen në mënyrë adekuate”, vijon njoftimi.
Megjithatë mësohet se ambasadori Boçka ka refuzuar të shkojë në takim duke thënë se nuk ka ndodhur gjë e madhe dhe nuk ka hapësirë për shqetësime.
Ambasadori shqiptar ka konfirmuar për ftesën nga ministria, por nuk ka dashur të komentojë më shumë.
Pavarësisht shkrimeve tensionuese në disa media që tentojnë të krijojnë situata alarmante, situata në Beograd është e qetë. Ambasada shqiptare ka të njëjtin nivel sigurie sikurse në ditët e mëparshme dhe nuk ka ndonjë ndryshim të gjendjes në pjesën ku ndodhen ambasada.
Gjatë rrugës nga aeroporti i Rinasit për në Tiranë, autobusi serb u godit me gurë, një incident që gjithësesi nuk shkaktoi trazira apo të lënduar.
Megjithatë, presidenti i Federatës Serbe Tomislav Karaxhiç, i cituar po nga “B92”, tha se ndeshja me Shqipërinë mund të jetë e diskutueshme nëse incidentet vazhdojnë.
Top Channel